E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, 88 vende pune të reja me kontratë

Këshilli i Ministrave e fillon me këmbën e mbarë mbledhjen e qeverisë, duke miratuar hapjen e 88 vendeve të reja pune për punonjësit me kontratë. Megjithëse nuk bëhet fjalë për punonjës me statusin e nëpunësit civil, por me atë të përkohshëm, që do të shërbejnë vetëm për vitin 2009, vendet e reja të punës janë hapur në tri ministri kryesore, siç është Ministria e Arsimit, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Bujqësisë. Nga institucionet shtetërore vendet e punës me kontratë janë të hapur për Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Institutin e Statistikave. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 18, të ligjit nr. 7961, datë 12.7.1995, "Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi që numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore, të bëhet 2656 punonjës. Kryeministri ka ngarkuar Ministrinë e Financave që të miratojë shtesat, sipas ministrive dhe institucioneve qendrore, në numrin e punonjësve të përkohshëm, sipas profesioneve dhe afateve kohore, brenda kritereve të përcaktuara në vendimin e lartpërmendur. Qeveria miratoi dje një vendim, i cili parashikon rritjen e numrit të punonjësve me kontrata të përkohshme, me 88 vende të reja pune. Propozimi është bërë nga Ministria e Financave dhe ka kaluar pa debate në qeveri. Kjo është hera e katërt brenda këtij viti që Këshilli i Ministrave miraton shtimin e listës së punëtorëve me kontrata të përkohshme. Herën e parë lista u publikua në shkurt, më pas lista u shtua në muajin mars me 2400 punonjës dhe pak ditë përpara çeljes së fushatës elektorale ky numër shkoi në 2568 punonjës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›