Integrimi europian, Sequi takohet me Kadarenë

Të enjten shtypi shqiptar do të ketë si kryefjalë në faqet e saj te para një dialog të rrallë mes Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, dhe shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare. Dialogu mes Ismail Kadare dhe Ambasadorit Sequi është i pari i llojit të një kolane që do publikohet në median e shkruar, ideuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, ku shkrimtarë, filozofë, analistë, artistë ndajnë me Ambasadorin e Bashkimit Evropian dhe me publikun shqiptar vizionin e tyre mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Ideja e Shqipërisë evropiane, si frymë historike dhe realitet, në një dialog të rrallë mes Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, dhe shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare. Shkëmbim përsiatjesh mes shkrimtarit dhe diplomatit se si ky përcaktim dhe kuptimshmëria e tij ndryshuan në kohë. Cili ishte dhe është ndikimi i idesë së Shqipërisë evropiane në politikën, shoqërinë dhe kulturën shqiptare?
Pjesë nga intervista:
Ambasadori Sequi: ....Ne esenë tuaj "Mosmarrëveshja", e cila me të drejtë është konsideruar si një nga veprat më të mëdha të mendimit shqip, ju trajtoni mes te tjerash ato që ju cilësoni "marrëdhëniet e vështira të shqiptarëve me veten e tyre". Personalisht, mendoj se çështja e besimit të ndërsjellë mes shqiptareve është një nga elementet e rendesishme për ta që të mund të kene sukses në rrugëtimin drejt Evropes. Gjithashtu besoj se dialogu, bashkëpunimi, konsensusi, mund të sjellin në fund të fundit rezultate të prekshme.....
A mendoni se e gjithë shoqëria shqiptare, nëpërmjet asaj që unë do ta quaja "trysni pozitive" dhe me më shume angazhim, duhet të luajë një rol më të madh që të arrihet më shumë e më shpejt progres në rrugën drejt Evropës?
Ismail Kadare: Eshtë herë e parë në historinë e Shqipërisë që një shekull pas çështjes së pavarësisë, një tjetër synim bashkon si me magji politikën dhe shoqërinë, opinionin publik dhe besimet fetare, elitën dhe njerëzit e thjeshtë. E merrni me mend se përse e kam fjalën: për synimin evropian. Asnjë parti politike shqiptare, asnjë program apo doktrinë nuk mund të ketë jetë në qoftë se krijon dyshimin më të vogël për orientimin evropian.