Integrimi i Balkanit ne BE

Të premten, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin malazez, i pyetur se cilat janë mësimet e nxjerra dhe a mund të jetë qartësisht më i zëshëm Komisioni me ato vende të Ballkanit, si Shqipëria apo Maqedonia, ku korrupsioni është gjithëpërfshirës, ku sulmohen e kërcënohen institucionet e pavarura, ku shtypet liria e fjalës, e kështu me radhë, me qëllim që në të ardhmen BE të mos kërkojë falje dhe për këtë rajon, Stefan Fule u përgjigj:
"Mesazhi im është se përsa i takon asaj që po ndodh me fqinjët tanë të jugut , jam shumë besimplotë se asnjë vend nuk është i imunizuar nga ky proces me përmasa historike që po ndodh, por gjithashtu, dhe përsa i përket pjesës tjetër të Europës, kam besimin se askush nuk është i imunizuar dhe se askush nuk duhet të jetë i imunizuar për të reflektuar mbi këto ndryshime".
Më tej, Fule sqaroi se qendrimi i BE-së ndaj qeverive të Ballkanit është më i rreptë duke monitoruar tashmë jo vetëm numrin e ligjeve që miratohen, por dhe si zbatohen e sa i shërbejnë ato qytetarëve.
"Ajo cfarë nevojitet të nënvizojmë e që duhet forcuar vërtet, është që të shohim gjurmë provash, në vend të plotësimit formal të detyrave. Në Mal të Zi përshembull, nëse shohim 7 kriteret kyce, ato reflektojnë deri diku këtë qasje të re të BE-së, e cila nuk kërkon vetëm miratimin e ligjeve dhe vendosjen e institucioneve, por edhe aftësinë për të monitoruar zbatimin sesa këto ndryshime, këto ligje e institucione, ju shërbejnë qytetarëve", tha Stefan Fule, Komisioner për Zgjerimin në BE.
Nëse Malit të Zi i janë vendosur 7 kritere, vlen të theksohet se Shqipëria ka 12 të tilla për të përmbushur. Ndërkohë, i pyetur mbi letrën konfidenciale të ish-ambasadorit amerikan në Podgoricë, të zbuluar nga Wikileaks, ku vendi cilësohet si më i korruptuari e më i kriminalizuari në rajon, Kryeministri Igor Luksic vlerësoi më të rëndësishme se ky dokument ndihmën amerikane për vendin.
"Unë vlerësoj shumë mbështetjen që ne marrim nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Mendoj se kjo është shumë më e rëndësishme se cdo letër specifike diplomatike e cila mund të gjendet kudo, përfshirë këtu dhe në Wikileaks", tha Igor Luksic, kryeministër i Malit të Zi.
"Dua të shtoj se qendrimi i Bashkimit Europian për këtë është se nuk ka nevojë të lexoni Wikileaks, pasi gjithcka është në progres-raportin e opinionit tonë, dhe jam i sigurtë se shumë gjëra thelbësore mbi këtë, do t'i gjeni edhe në raportin tonë të ardhshëm", tha nga ana e tij komisioneri Fule.
Raportet e progresit të Komisionit Europian këtë vit pritet të publikohen më 15 shtator.
Përgatiti: Arta Tozaj