Integrimi, ministrat e jashtëm italian e grek nesër në Tiranë

Ministri i jashtëm italian Franco Frattini dhe ai grek Stavros Lambrinidis do të vizitojnë nesër Tiranën, në një mision të përbashkët për t`i dhënë një shtysë procesit të integrimit europian të vendit. Qëllimi i tyre është që t`i kujtojnë Shqipërisë detyrimet që ajo ka ndaj Brukselit dhe ta nxisin atë për përmbushjen e shpejtë të tyre, duke qenë se në muajin tetor Komisioni Europian do të paraqesë opinionin e tij mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat.
Përfaqësuesit e dy vendeve të Bashkimit Europian synojnë gjithashtu që të nxisin dialogun politik në vend dhe përshpejtimin e reformave të nevojshme për pëparimin e vendit në procesin e integrimit. Fillimisht ishte menduar që Bashkimi Europian të mund të përfaqësohej në këtë takim me komisionerin për zgjerimin Stefan Fyle apo drejtorin e përgjithshëm të Zgjerimit Stefano Sannino. Por për shkak të angazhimeve në Bruksel të dy funksionareve të lartë, të dy ministrat e jashtëm do të shoqërohen gjatë takimeve të tyre në Tiranë nga ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian Ettore Sequi.
Treshja europiane pritet të ketë bisedime me Presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha e Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto si dhe me kreun e opozitës Edi Rama. Misioni në Tiranë vjen në një moment kur Shqipëria do të duhet të kalojë një tjetër provë të Brukselit. Në muajin tetor Komisioni europian pritet të publikojë raportin e tij të vlerësimit mbi ecurinë e vendit si dhe të japë opinionin mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat. Një kërkesë e cila u refuzua vitin e shkuar. Dy ministrat e jashtëm pritet që t`i kujtojnë Shqipërisë rëndësinë e plotësimit të detyrimet që ajo ka ndaj Brukselit i cili ka identifikuar 12 prioritetetë cilat duhen zbatuar, dhe të kërkojnë që vendi të shfrytëzojë në maksimum kohën e mbetur. Prioritetet kryesore lidhen me kriteret politike ku përfshihen edhe zgjedhjet. Palëve në Shqipëri pritet që tu kërkohet një angazhim i shpejtë për plotësimin e rekomandimeve të misionit të vëzhguesve ndërkombëtar pas zgjedhjeve të 8 majit.
Socialistët janë shprehur se do të angazhohen në mbështetje të plotë të procesit të inetgrimit dhe kanë kërkuar që në komisionet parlamentare të futen ligjet që kërkojnë miratim me tre të pestat, duke paralajmëruar megjithatë, se do t`i votojnë ato vetëm nëse janë në përputhje me standartet e kërkuara.