Integrimi në BE, Arvizu: Duhet konsensus kombëtar
Ambasadori amerikan në Tiranë: “Ajo që ka rëndësi për integrimin është një konsensus kombëtar i nevojshëm. Ajo që do të shtoja është që modalitetet specifike kuptohet që i përkasin Shqipërisë dhe vendeve anëtare. Shqipëria është një vend sovran dhe procesi i integrimit ka të bëjë mes palëve. Por për arritjen e këtij synimi duhet patjetër një konsensus kombëtar.”
TIRANË Në prag të fillimit të sesionit të ri parlamentar, ambasadori i ShBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka deklaruar se Shqipërisë i nevojitet një konsensus kombëtar për integrimin. Pas takimit të zhvilluar me zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ambasadori amerikan në Tiranë ka theksuar se biseda mes tyre është përqendruar në çështje të rëndësishme, që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “...Ne folëm për çështje të rëndësishme të rrugës për integrimin e Shqipërisë në BE. ShBA mbështet fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim. Ajo që ka rëndësi për integrimin është një konsensus kombëtar i nevojshëm. Ajo që do të shtoja është që modalitetet specifike kuptohet që i përkasin Shqipërisë dhe vendeve anëtare. Shqipëria është një vend sovran dhe procesi i integrimit ka të bëjë mes palëve. Por për arritjen e këtij synimi duhet patjetër një konsensus kombëtar. Qeveria është njëra palë, por në këtë kuadër duhet të ketë unifikim të qëndrimit dhe me këtë unifikim objektivat janë shumë të arritshme”, - tha dje Arvizu. Në takimin e zhvilluar me ministrin Haxhinasto u diskutua edhe për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që mbahen në muajin shtator. Nga ana e tij zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, detajoi më tej disa çështje të trajtuara gjatë takimit.
”... Në kuadrin e konsultimeve të vazhdueshme, diskutuam për disa çështje me interes të përbashkët në Asamblenë e ardhshme të Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu, folëm për situatën politike në vend, për nevojën e një Pakti Kombëtar për Integrimin, i cili do të ketë si objektiv kryesor zbatimin e planit kombëtar për dymbëdhjetë prioritetet. Kjo do të thotë që të gjitha palët e politikës të angazhohen në një proces të pakushtëzuar për të respektuar dhe për të zbatuar pikërisht ato prioritete që ka vendosur BE-ja përpara Shqipërisë dhe shqiptarëve, kjo edhe në frymën e rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit. Në këto përpjekje ne kemi mbështetjen e plotë të partnerëve europianë, por gjithashtu edhe të ShBA-ve, të cilët mbështesin në mënyrë të pakushtëzuar integrimin e plotë të Shqipërisë në BE”, - tha Haxhinasto. Prej disa ditësh në politikën shqiptare është hedhur ideja e një pakti kombëtar për integrimin e vendit, dy muaj para së Shqipërisë t’i jepet një përgjigje zyrtarë nëse i ka plotësuar detyrat me qëllim fitimin e statusit të vendit kandidat. Domosdoshmërinë e një pakti të tillë e ka trumbetuar jo pak kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ndërkohë që Partia Demokratike ka ripërsëritur ftesën drejtuar opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për reformën zgjedhore. Një ftesë publike, opozitës, i është adresuar edhe për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar në Kuvend si dhe zgjedhjen e krerëve të disa prej institucioneve kryesore, siç është ajo për Avokatin e Popullit.