E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR: Të korrigjohet sistemi zgjedhor, ja formula jonë

Shqetësimi i nënkryetarit të PR-së, Arjan Madhi: “Nuk mund të ndodhë që një deputet të përfaqësojë 10 mijë zgjedhës në Kuvend dhe një tjetër të përfaqësojë 35 mijë zgjedhës në Kuvend. Ne mund të ruajmë të njëjtin sistem, që është sistemi proporcional rajonal, por të kemi tashmë një korrektim kombëtar, që do të thotë që të mblidhen votat në shkallë kombëtare.”

TIRANË Ndryshe nga të majtët, aleatët e Partisë Demokratike nuk shprehin kundërshtim as për mënyrën sesi partia më e madhe në pushtet po i trajton, dhe as për politikat që ajo ndjek. Shqetësimi i të vegjëlve të djathtë është gjetkë; te përfaqësimi i tyre në Kuvend. Me hapjen e diskutimeve për mundësinë e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, por edhe Kushtetutës, aleati tradicional i demokratëve, republikanët, kërkojnë që të ketë ndryshim në sistemin zgjedhor. PR-ja mbështet variantin e sistemit proporcional rajonal me listë preferenciale. “Ky është një parim fondamental dhe askush dhe për asnjë arsye nuk mund të jetë i justifikuar të deformojë përfaqësimin në Kuvend. Pra, nuk mund të ndodhë në asnjë vend, kur një subjekt në Kuvend përfaqësohet me x vota dhe një subjekt tjetër përfaqësohet me x plus 10 vota, çka do të thotë që nuk mund të ndodhë që një deputet të përfaqësojë 10 mijë zgjedhës në Kuvend dhe një tjetër të përfaqësojë 35 mijë zgjedhës në Kuvend. Ne mund të ruajmë të njëjtin sistem që është sistemi proporcional rajonal, por të kemi tashmë një korrektim kombëtar, që do të thotë që të mblidhen votat në shkallë kombëtare. Pra, nëse një parti politike ka grumbulluar 40 mijë vota, nëse do të themi që për çdo mandat janë 10 mijë vota, atëherë kësaj partie do t’i takojnë katër mandate. Nëse ai do ta ketë marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë dy mandate, atëherë do të kompensohet vetëm me dy mandate të tjera nga lista kombëtare dhe kjo parti do të ketë katër mandate gjithsej. Pra, duhet të kemi një baraspeshë të përfaqësimit të Kuvendit Shqiptar”, - tha dje nënkryetari i PR-së, Arjan Madhi. Nënkryetari i republikanëve mbështet edhe idenë e hedhur prej kohësh për një votim elektronik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Unë mendoj se kjo shoqërohet me një grup masash, ku mbi të gjitha do të mbizotërojë mënyra e votimit, numërimit, vlerësimit dhe tabulimit të rezultateve në mënyrë elektronike. Kjo bën që administrata zgjedhore të kthehet vetëm në një element teknik, e cila i shërben makinerisë elektronike që sjell të gjithë produktin”, - tha ai. Pak ditë më parë edhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ka kërkuar që mazhoranca të dalë me një paketë propozimesh sa i përket reformës zgjedhore. Mediu është përqendruar te kërkesa për sistemin zgjedhor edhe pse është dukur pak optimist për këtë çështje në deklaratën e tij, sa kohë që Partia Demokratike është shprehur prej kohësh se prioritare për të do të jenë propozimet që do të ofrojë Partia Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›