Wikileaks/SHBA: Qeveria forcoi Taçin, duke nxjerrë jashtë biznesit importuesit e naftës
Shqipëria forcon ARMO-n, importuesit e naftës janë shtrydhur, me këtë titull e nis raportimin e tij zv/ambasadori Kristina duke treguar atë çfarë po ndodhte në tregun e naftës në vend pas privatizimit të ARMO-s nga biznesmeni Rezart Taçi. Dokumenti në fjalë i publikuar nga Wikileaks bazohet në ankimin e biznesmenit të naftës Frident Kuqi, dhe në komentin e saj në fund të raportimit thotë se monopoli që Armo po merr në tregun e naftës me bekimin e qeverisë sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave, mund të nxjerrë jashtë loje biznesmenët e tjerë të kësaj fushe, duke mos lejuar shitjen e naftës së importuar D2, por vetëm D2 që prodhonte Taçi.
Që prej vitit 2009 importuesit shqiptarë nuk do të mund të importojnë apo të shesin naftën D2 nëse ajo nuk është prodhuar në Shqipëri. Mbështetur tek Frident Kuqi, president i një prej importueseve dhe shpërndarësve të naftës së distiluar, qeveria po përpiqet ta nxjerrë atë jashtë biznesit. Kuqi zotëron Europetrol Durres- Albania (Elda), një nga importuesit më të mëdha me 15 për qind të tregut . Në 2008, Elda importoi 82 million litra të distiluara, 70 për qind e së cilës është D2. Në mars 2007, këshilli i ministrave vendosi që D2 i importuar nuk mund të shitet pas janarit 2009 për të përmbushur kështu standardet evropiane kundër ndotjes. E pastër, por më e shtrenjta, D1 mund të importohej dhe inspektorët e qeverisë kishin të drejtë të konfiskonin çdo D2 të importuar në magazina apo në pikat e karburanteve pas 1 janarit. Por Kuqi ankohet se kjo do të nxjerrë jashtë biznesit importuesit e naftës pasi D2 përbën 60 ose 70 për qind të biznesit të tyre total. Konsumatorët shqiptarë janë shumë të ndjeshëm dhe nuk do të paguajnë 10-12 lekë për litër të D1. Kuqi shtoi se shumë importues si ai janë detyruar të ndërtojnë depo të reja në Durres, në Porto Romano kur qeveria vendosi që të largonte terminalet e naftës jashtë Durrësit. Kuqi mori kredi 15 million euro për të financuar zgjerimin e kompanisë dhe ndërtimin e depove. Ai thotë se nuk do të jetë në gjendje për ta shlyer atë, nëse ai nuk lejohet të vazhdojë importimin e naftës D2
… ndërkohë ARMO korr përfitimet
Më 27 nëntor, një konsorcium i përbërë nga tregtari i naftës në SHBA Refinery Associates of Texas (RAOT), tregtari zviceran i naftës Anika Enterprises (në pronësi të tregtarit shqiptar Rezart Taçi Oil) dhe Mercuria Energy Group fitoi tenderin për kompaninë shtetërore të naftës ARMO për 128 milion euro. ARMO zotëron dy rafineri të ndërtuar nga kinezët 40 vjet më parë për të përpunuar naftën bruto të rëndë që pompohet nga fushat e naftës shqiptare, si dhe terminalet e naftës dhe objektet e magazinimit.
Sipas VKM-së së qeverisë më 30 korrik 2008, nafta D2 bruto e prodhuar në vend mund të shitet deri në 1 janar 2011. Që kur ARMO operon i vetëm në rafinerinë shqiptare, nëse të tjera kompani shqiptare të naftës dëshirojnë të shesin D2, ata duhet të blejnë atë nga ARMO. Si një monopol efektiv, ARMO do të jetë në gjendje të ngarkojë çdo gjë që ata duan për D2. Kuqi e gjen ironike faktin që D2-i që ai importon nga Rusia ka një përmbajtje shumë më të ulët squfuri sesa ajo që ARMO prodhon dhe si pasojë është shumë më e pastër për mjedisin.
Koment:
Megjithëse në pjesën e komentin ka shumë gabime në kabllogram, kuptohet që ambasada ngre shqetësimin për një komplot mes qeverisë dhe Taçit për të nxjerrë jashtë biznesit operatorët e tjerë në fushën e naftës. Sipas ambasadës komploti shkon deri tek pikat e karburanteve.
Më tej ambasada shkruan se : Kuqi i ka shkruar kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë Ruli disa letra, por ai është i frikësuar se ndonjë veprim më i fuqishëm do të vinte si hakmarrje. Nga ana tjetër ai nuk është i qartë se çfarë efekti konkret mund të ketë një monopol në ekonominë shqiptare. Pasi ARMO të ketë përmirësuar rafineritë për rritjen e efikasitetit dhe të ketë reduktuar përmbajtjen e squfurit, kostoja e produkteve të saj mund të jetë më pak se kostoja e importeve, mundësisht ulja e kostos së karburanteve për shqiptarët, përveç efekteve pozitive të reduktimit të defiçitit tregtar dhe duke siguruar punësim shtesë, në çdo rast, qeveria është në vendin e shoferit dhe duhet të jetë në gjendje për të arritur marrëveshje në kushtet e saj me importuesit.