Topi takim me Chountis: Jam optimist për kapërcimin sa më të shpejt të ngërçit politik
Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një takim me Raportuesin për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, zotin Nikolaos Chountis, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. Gjatë takimit, kreu i shtetit shqiptar bëri një përshkrim të situatës së përgjithshme në vend, ku vlerësoi rivendosjen e dialogut politik mes opozitës dhe mazhorancës dhe shprehu optimizmin për kapërcimin sa më të shpejt të ngërçit politik. Presidenti Topi shprehu besimin se shumë shpejt do të mund të merren dy vendime të rëndësishme për vendin tonë, ai i hartimit të Opinionit të Komisionit Evropian dhe vendimit për marrjen e statusit të vendit kandidat, si dhe ai i përmbylljes me sukses të procesit të liberalizimit të vizave. Duke folur për situatën në rajon, Chountis u shpreh se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE i shërben jo vetëm vendeve të rajonit, por edhe përmbushjes së misionit të Bashkimit Evropian për rritjen dhe konsolidimin e paqes, demokracisë dhe stabilitetit të të gjithë Evropës. Raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Nikolaos Chountis, vlerësoi përpjekjet e mëdha të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe shprehu besimin e plotë se vendi ynë do të përmbushë me sukses të gjitha detyrimet për të qenë pjesë edhe zyrtarisht e familjes evropiane.