E Diel, 1 Nëntor 2026

I pritet këmba, braktiset në hyrje të stacionit

DURRËS/ Ish-mundësi, Nazmi Osmani, ndodhet prej një jave në derën hyrëse të sallës së pasagjerëve

Punonjës të hekurudhës shprehen se nuk kanë ç'të bëjnë për 62-vjeçarin e braktisur nga të afërmit


DURRËS - Në orët e mëngjesit, në derën hyrëse të sallës së pasagjerëve të Stacionit të Trenit në qytetin e Durrësit ndodhej një njeri i shtrirë i mbuluar me batanije. Mësohet se është një person i aksidentuar rëndë dhe i operuar, i cili pas operacionit në të cilin i është prerë njëra këmbë, është detyruar që të mbetet në derën e stacionit të trenit. Personi është në një moshë kritike për një jetesë të tillë dhe i mbetur në mëshirë të fatit.


Ai ka rreth një javë që ndodhet në këtë vend, ndërsa mësohet se quhet Nazmi Osmani, ish-mundës i ekipit kombëtar, sot rreth 62 vjeç. Sipas shitësve ambulantë në afërsi të stacionit, atë e kanë sjellë njerëz të panjohur dhe kanë qenë banorët ata që i kanë sjellë pak mbulesa personit që dergjet në hapësirë, pasi nuk mund të lëvizë.


Nazmi Osmani është aksidentuar në fillim të muajit mars në një nga rrugët e plazhit te Durrësit. Pas aksidentit ai është dërguar nga shoferi në spitalin e Durrësit ku edhe i është nënshtruar kurimit intensive, por gjendja e tij ka qenë shumë e rëndë dhe mjekët janë detyruar që t'i presin njërën këmbë. Pas këtij operacioni ai është dërguar në spitalin e Burrelit.


Nuk dihet preteksti me të cilin ai është rikthyer në Spitalin Rajonal të Durrësit, por pas rikthimit ai ka mbetur në stacionin e trenit pa qenë në gjendje të lëvizë. Mësohet se Osmani ka rrëfyer se ka qenë i martuar dhe se kishte 5 fëmijë. Bashkëshortja e tij jeton në Gjermani së bashku me vajzën e vogël. "Fëmijët e tjerë kanë krijuar familjet e tyre dhe unë kam mbetur fillikat", është shprehur ai.


Në stacionin hekurudhor të Durrësit deklarojnë se prej ditës që i gjymtuari qëndron në derën e këtij stacioni, kanë lajmëruar të gjithë strukturat e policisë dhe të spitalit.


Arjan Mëniku, punonjës i stacionit hekurudhor, është shprehur se "nga ana njerëzore nuk dinim ku ta çonim, dhe për këtë e kemi lënë këtu tek dera. Se ai është njeri sidoqoftë, por ne punonjësit e hekurudhës nuk kemi çfarë t'i bëjmë. Këtu po qëndron ditë dhe natë. Të gjithë kanë shprehur shqetësimin e tyre, por duhet të vijnë dhe ta marrin për ta ndihmuar. Për më tepër që të gjithë të afërmit e kanë braktisur".


Ndërkohë në Spitalin Rajonal të Durrësit, mjeku Shaban Dedej sqaroi se të aksidentuarit i janë bërë të gjitha ndërhyrjet e nevojshme. Pasi i përfundoi u dërgua në spitalin e Burrelit, por këta të fundit e sollën në Durrës sërish. Më tej nuk e di çka ndodhur, sepse ka dalë nga kompetenca jonë", thotë ai. Në polici është thënë se ngjarja është dokumentuar. Ata konfirmojnë se aksidenti ka ndodhur në datën 4 mars dhe shkak i këtij aksidenti ka qenë kalimi i gabuar i 62-vjeçarit.


"Për ta strehuar do të përpiqemi që të flasim me shoqatat dhe pushtetin lokal, si dhe do të shikohet se kush e ka lënë të braktisur në hyrjen e stacionit të trenit në Durrësit", deklarojnë në polici. Ndërkohë mësohet se as spitali dhe as policia nuk kanë ambiente për të mbajtur një njeri të gjymtuar. Në Durrës nuk ka një azil apo qendër për t'u kujdesur për këta persona.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›