Poni: Rama po pengon miratimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, nuk zbaton ligjin
Kryetari i këshilltarëve demokrat në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni, akuzoi kryebashkiakun Edi Rama për pengim të miratimit të buxhetit të bashkisë. Në një komunikim për mediat, Poni tha se Rama nuk po zbaton ligjin për t’iu përgjigjur interesit të mazhorancës në Këshillin Bashkiak, në lidhje me taksat, projektet e pafinancuara dhe gjendjen e kopshteve të Tiranës. “Bëjmë denoncimin e radhës ndaj veprimeve obstruksioniste, penguese të kryetarit ose ish-kryetarit të bashkisë së Tiranës Edvin Ramës ndaj të drejtës së ligjshme që këshilli bashkiak ka për të vendosur për buxhetin e bashkisë së Tiranës”, deklaroi kryetari i këshilltarëve demokrat në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Sipas tij, mbledhja e këshillit bashkiak të Tiranës e muajit mars lidhur me buxhetin është shtyrë në pritje të 3 kërkesave të mazhorancës së këshilltarëve të bashkisë që do të mundësonin një buxhet të shëndetshëm, një buxhet efektiv, një buxhet transparent. “Së pari, listën e plotë të taksave dhe tatimeve të vendosura nga bashkia e Tiranës, nivelin e tyre me ligj dhe nivelin përkatës të vendosur nga bashkia e Tiranës si dhe numrin përkatës të taksapaguesve për çdo taksë. Së dyti, listën e projekteve të hartuara por që nuk janë financuar. Së treti, listën e të gjithë kopshteve dhe çerdheve të bashkisë së Tiranës dhe nivelin e ngrohjes në to”, u shpreh Poni.