Integrimi në BE: Kriza, pasoja për Shqipërinë

Zbulohet raporti që do të diskutohet sot mes 27 vendeve anëtare të Unionit për integrimin e Shqipërisë
TIRANË - Kriza politike në vend është pasqyruar edhe në raportin e 27 vendeve anëtare të Unionit, që pritet të diskutohet sot në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asociimit BE - Shqipëri. Në dokumentin e bërë publik nga "TCH" pasqyrohet shqetësimi i mospërmbushjes së kriterit politik të Kopenhagenit për shkak të mosfunksionimit të institucioneve demokratike.
Duke theksuar mosfunksionimin e Kuvendit dhe komisioneve parlamentare që prej zgjedhjeve të vitit të kaluar, BE-ja nënvizon rëndësinë e një bashkëpunimi aktiv të mazhorancës dhe opozitës për të rivendosur veprimtarinë e pandërprerë parlamentare. "BE i bën thirrje liderëve politikë shqiptarë të marrin parasysh pasojat e mundshme të ngërçit politik për hapat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në momentin e përgatitjes së opinionit për aplikimin e Shqipërisë, funksionimi i plotë i Kuvendit është thelbësor për të dëshmuar pjekurinë demokratike të Shqipërisë, por dhe për të garantuar progres në reformat kyçe", - thuhet në qëndrimin e 27 vendeve anëtare.
BE-ja thekson se të gjithë liderët kryesorë politikë ndajnë përgjegjësinë për të rikthyer një dialog konstruktiv politik dhe për të dëshmuar efikasitetin dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Sipas vendeve anëtare, në atmosferën aktuale politike, është e rëndësishme që të shmangen veprime konfrontuese, deklarata dhe vendime që mund të acarojnë më tej situatën. Këshilli i Stabilizim-Asociimit, që pasqyron takimin e nivelit më të lartë BE-Shqipëri, do të debatojë edhe për sfidat urgjente të vendit në rrugën drejt integrimit europian.
Në dokumentin konfidencial, qëndrimi i përbashkët i vendeve anëtare të Unionit përcakton se forcimi i shtetit ligjor, lufta ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, pavarësia e gjyqësorit dhe përforcimi i administratës mbeten sfida të tjera urgjente përveç zgjidhjes së krizës politike.
Kështu në fushën e gjyqësorit BE-ja i bën thirrje qeverisë shqiptare të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, në veçanti për Gjykatën Kushtetuese, si dhe ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. Sa i përket korrupsionit, sipas raportit, vërehet se numri i rasteve, që po hetohen është në rritje.
"Megjithatë, korrupsioni mbetet gjerësisht i përhapur dhe përbën një problem veçanërisht serioz në shumë fusha, përfshirë këtu financimin e partive politike, sektorin shëndetësor etj. Kapaciteti investigues i zbatueseve të ligjit dhe prokurorisë mbetet i dobët. Niveli i dënimeve për rastet e korrupsionit mbetet i ulët", thuhet në raport.
BE-ja vë re se perceptimi publik ndaj korrupsionit është përkeqësuar si dhe nënvizon rëndësinë e vendosjes së rezultateve bindëse në hetimin dhe dënimin, e pavarur nga ndërhyrjet politike, përfshirë këtu dhe rastet e korrupsionit në nivele të larta.
Sa i përket trafiqeve, BE-ja vëren realizimin e disa veprimeve të suksesshme ndërkombëtare në luftën kundër trafikut të drogës dhe përpjekje të mira për parandalimin e trafikut të qenieve njerëzore.
Por, BE-ja thekson se nevojiten ende përpjekje të konsiderueshme në të dy këto fusha, si dhe në rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Lidhur me administratën, 27 vendet anëtarë të Unionit bëjnë thirrje për progres në zbatimin e strategjisë për Reformën e Administratës Publike dhe thekson rëndësinë e ngritjes dhe ruajtjes të një shërbimi civil të pavarur, profesional, të bazuar mbi merita dhe të lirë nga ndërhyrjet politike