E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i Vasilit: Grevistët në spital të mos flasin me gazetarët

Urdhri i Vasilit është që asnjë gazetar të mos futet në ambientet e spitalit. Bare: Kjo nuk është e drejtë. Në spital vetëm dje edhe katër grevistë të tjerë.


TIRANË - Grevistët që përfundojnë në spital nuk do të kenë asnjë të drejtë të komunikojnë përballë me gazetarët për sa kohë janë të shtruar në spital. Madje, asnjë gazetar nuk duhet të futet në mjediset e spitalit ku janë të shtruar grevistët edhe nëse këta të fundit duan që të komunikojnë me gazetarët.


Gazeta nuk mundi të komunikonte brenda ambienteve të spitalit me deputetin e Partisë Socialiste, Besnik Bare, ndonëse ky i fundit konfirmoi me anë të telefonit dëshirën për të dhënë intervistë.


Urdhri është dhënë nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili theksoi për gazetën se ky vendim është marrë posaçërisht nga vet ai, pasi dikasteri që drejton është për të dhënë shërbim mjekësor për grevistët.


"Është urdhër i dhënë nga unë dhe kjo vlen për të gjitha mediat. Askush nuk do të futet në ambientet e spitalit për të intervistuar grevistët, pasi ata janë në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe intervistat nga fluksi i gazetarëve dhe kamerave që mund të futen pa orare për intervista nuk ndikon mirë mbi gjendjen e tyre", - thekson Vasili.


Megjithatë, i pyetur për faktin që vetë grevistët janë dakord të flasin me gazetarët edhe brenda ambienteve të spitalit, ministri u përgjigj se edhe pse ata kanë dëshirë, gazetarët nuk do të lejohen të futen në spital.


Sipas tij, gazetarët duhet të komunikojnë vetëm me zëdhënësen e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" për t'u informuar rreth gjendjes shëndetësore të grevistëve. "Pyesni zëdhënësen për çdo informacion që iu duhet në lidhje me grevistët që përfundojnë në spital. E ritheksoi se ky është urdhri për të gjithë", thekson Vasili.


Ndërkohë, deputeti i PS-së, Besnik Bare, i kontaktuar në telefon vetëm disa metra larg dhomës së spitalit Infektiv theksoi se urdhri i ministrit të Shëndetësisë i duket i padrejtë, pasi janë vetë ata që duan të komunikojnë me gazetarët dhe për asnjë moment nuk kanë kërkuar që gazetarët të rrinë larg dhomave ku janë shtruar për t'u ruajtur qetësinë apo për të mos i shqetësuar siç pretendon ministri i Shëndetësisë.


"Më vjen keq që nuk po iu lejojnë të futeni brenda ambientit të spitalit për të komunikuar ballë përballë, por duhet të dini se ky nuk është vendimi ynë", - thekon Bare, duke shtuar për gazetën se ai ishte në gjendje më të mirë shëndetësore.


Ndërkohë në spital, dje janë dërguar edhe Andi Hajdari, 22 vjeç, nga qyteti i Tiranës, Lekë Njemza, nga Tirana, Ilirjan Meziri nga Burreli dhe Saimir Gura nga qyteti i Shkodrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›