Greva, Berisha: Zgjidhja, "Venecia" ose Komisioni hetimor

Kryeministri Sali Berisha nuk ofron zgjidhje për krizën politike dhe grevën 10-ditore në bulevard
TIRANË - Për kryeministrin Sali Berisha zgjidhja ndaj kërkesave të opozitës është e njohur tashmë. Kreu i ekzekutivit nuk i ka ndryshuar asnjë presje qëndrimit të tij të mëparshëm, lidhur me kërkesën kryesore të opozitës, hapjen e kutive.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, dje në mesditë, kryeministri Berisha tha se kryetari i opozitës ka dy rrugë: a) ose të pranojë komisionin hetimor; b) ose t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. "Ajo çfarë dua të theksoj është se i bëj thirrje zotit Rama, për tri çështje kryesore.
E para të vlerësojë propozimin e Këshillit të Europës, e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, si një propozim tërësisht mbi palët, si një propozim tërësisht në të mirën e vendit, por edhe të Partisë Socialiste dhe të palëve, ku i kërkohet zotit Rama t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe në rast se kjo e fundit e gjykon, t'i drejtohet Strasburgut. I bëj thirrje gjithashtu, në rast se nuk i pëlqen ky variant, të vijnë në komisionin parlamentar.
Të fillojë menjëherë punë komisioni, do të ketë kryetarin e komisionit, do të ketë shumicën në çdo votim të komisionit", - tha dje Berisha para deputetëve. Kryeministri siguroi se qeveria që ai drejton do të respektojë protestën dhe po aq edhe grevën e urisë. "Në këtë vend të lirë do të respektohet çdo protestë paqësore, të cilitdo lloj të jetë ajo dhe e cilitdo.
Duke theksuar këtë nuk mund të mos them se ndjesitë e mia, janë të pranishme në çdo rast ku ka dhimbje, ku ka vuajtje, ku ka lëndime, pranë çdo qytetari, cilido qoftë ai, i ri apo i moshuar, burrë apo grua, me parti apo pa parti. Ndaj dhe duke ruajtur ndjeshmërinë ose duke respektuar vendimin e tyre, unë mbetem gjithnjë i ndjeshëm ndaj pasojave të këtij vendimi në shëndetin e tyre.
Nuk do të kisha këshilluar ndonjëherë një gjë të tillë, por ky vendim është vendim i marrë nga drejtuesit e tyre, nga vetë ata dhe natyrisht jashtë çdo lloj kompetence të kryeministrit të vendit", - tha ai.
Berisha i ka kërkuar kryetarit të opozitës, që të lejojë autoritet shëndetësore zyrtare, të kujdesen për shëndetin e grevistëve. "I them zotit Rama se detyra e mjekut është detyrë e vështirë, e cila kërkon para së gjithash dhe mbi të gjitha gjakftohtësi, objektivitet, kërkon që ai të trajtojë një lloj, si shtetarin më të lartë ashtu dhe të burgosurin më të rëndë...
Zoti Rama këto janë disa rregulla sa fondamentale aq dhe të lashta që nga koha e Hipokratit gjer më sot. Ndaj, edhe kërkesa ime është që të lejojë kontrollin e përditshëm... Nuk pranohet shërbimi militant, shërbimi militant është i përjashtuar nga shërbimi shëndetësor", - tha ai.