PS, Dogjani: Berisha u shiti shqiptarëve dështimet e policisë

Tiranë, 26 janar NOA - Partia Socialiste i
konsideroi si dështime ato suksese të Policisë së Shtetit, të cilat u përmendën
dje nga ana e Kryeministrit Sali Berisha.
Deputeti Asllan Dogjani, me anë të shifrave të
përmendura, ka bërë me dije, se numri i aksidenteve, vjedhjeve, krimit, lëndëve
narkotike dhe korrupsionit, ka pasur rritje krahasuar me një vit më parë.
Sipas tij, dështimet kanë ardhur për shkak se
nga radhët e policisë janë larguar kuadro të specializuar, të cilët janë
zëvendësuar me militant, ndërkohë që këta të fundit, janë duke e kryer vetë
korrupsionin.
Në rutinën e përvitshme të analizave të punës
së policisë dëgjuam edhe këtë herë nga Kryeministri e drejtuesit e
policisë prioritetet e vitit, si:
Lufta kundër krimit në përgjithësi e atij të
organizuar në veçanti, rritja e sigurisë në vend, cilësisë së rendit, policimit
në komunitet, parandalimin e aksidenteve, kontrollin e kufijve etj, dhe kjo për
të pestin vit me radhë që objektivat nuk ndryshojnë.
Berisha dje nuk bëri gjë tjetër vetëm se ju
shiti shqiptarëve dështimet e policisë si sukses të qeverisë së tij dhe nuk paraqiti
ndonjë strategji konkrete se si do të arrijë standardet që kërkohen jo vetëm
nga shqiptarët, por dhe faktori ndërkombëtar.
Analiza e djeshme tregoi se policia e shtetit
është nën nivelet më të dobëta të punës së saj, kjo jo për fajin e trupës së policisë,
por për faktin e politikave dështuese e drejtuese të ndjekura nga qeveria
Berisha.
Që policia ka dështuar gjatë vitit 2009 dhe
nuk është në lartësinë e zbatimit të detyrës e ilustron edhe rasti i muajve të
fundit në vitin e kaluar, ku për shkak të mungesës së drejtimit, mungesës së
përgjegjësisë, paaftësisë së drejtueseve, korrupsionit, implikimit të
punonjësve të policisë u vranë 4 punonjës policie në Durrës apo dy të tjerë në
Kukës.
Vrasja në mes të qytetit, pranë banesës së tij
në kulmin e lëvizjes së qytetarëve akoma e pazbuluar e deputetit Fatmir Xhindi
në Roskovec të Fierit, vrasje e cila nuk u përmend fare në raport analizën e
punës së policisë tregon mungesë përgjegjësie dhe profesionalizmi nga
drejtuesit e policisë tha Dogjani.
Sipas tij, Policia e Shtetit me ndryshimet
strukturore ka dështuar në kontrollin e territorit këtë e tregon numri i
veprave penale të ndodhura, të pazbuluara pa përmendur se sa janë të
paevidentuara nga shërbimet e policisë.
Ndryshimet strukturore dhe në personelin e
policisë duke i grupuar sipas drejtimeve në një qendër të vetme ka bërë që
komisariatet e policisë të mos mbajnë përgjegjësi për veprat penale të ndodhura
dhe ka sjell sorollatjen e qytetarëve nga një komisariat në tjetrin, nga një
departament tek tjetri për bërjen e një kallëzimi, apo denoncuar një vepër të
kundraligjshme.
Në raport analizën e punës së policisë për
vitin 2009 nuk u përmendën fare sa është numri i automjeteve të vjedhura,
banesave, pikave të karburantit, biznesmenëve, xhepave, çantave, varseve të
qytetarëve apo vjedhjet me armë, vjedhjet me armë me pasoja vdekje, vjedhjet me
armë, me dhunë që janë shtuar dukshëm nëpër rrugët e Shqipërisë dhe kane kthyer
pasigurinë në vend.
Lëvizja e personave në kërkim, lëvizja lirshëm
e personave të armatosur pa frikën ndaj ligjit ka bërë që të shtohen përplasjet
e momentit dhe të përfundojnë me viktima. Kjo u pa vetëm dje në një ditë, në
ditën e analizës së policisë ku plagoset me armë zjarri shefi i krimeve në
Lushnje, vrasja në Fush-Krujë etj.
Goditjet ndaj trafikut të drogës kanë qenë të
ulëta në raport me sasinë e drogave që lëvizin në vendin tonë dhe me rritjen e
numrit të përdoruesve është mjaftuar me goditjen e disa përdoruesve, apo
transportuesve dhe kanë mbetur pa u goditur drejtuesit e këtyre grupeve
kriminale.
Mungesa e një strategjie për parandalimin e
përdorimit të lëndëve narkotike në gjimnaze, një plagë e rëndë e shoqërisë
tregon se sa e interesuar është kjo qeveri ndaj qytetarëve të vetë.
Në raport nuk dëgjuam se sa raste janë kapur,
çfarë informacionesh ka dhe a ka një strategji për këtë fenomen në shkolla për
uljen e numrit të përdoruesve etj.
Shqipëria jo vetëm po vazhdon të përdoret si
vend tranzit për trafikun e drogës në drejtim të vendeve të Europës
Perëndimore, por edhe po e konsumon atë, këtë e tregon dhe rritja e numrit të
përdoruesve të drogave, kryesisht nga moshat e reja në vendin tonë.
Rastet e kapjes së drogës shpesh herë pa autor
në aksin Gjirokastër-Kakavije apo të fshatrave përreth kufirit me Greqinë, nuk
tregojnë për suksesin e policisë, por dështimin dhe paaftësinë e këtij shteti
për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike, kontrollin e territorit,
goditjen e grupeve kriminale dhe drejtueseve të tij dhe nga ana tjetër
mjaftohen me penalizimin e shumë personave transportues apo përdorues, duke i
cilësuar si trafikant të mëdhenj tha më tej në analizën e tij, deputeti
socialist.
k.k/NOA