Krasniqi: Për autostradën vendos Kuvendi

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se për çështjen e autostradës Vërmicë-Merdar do të diskutohet dhe do të vendoset në Kuvendin e Kosovës.
Deklarimi i kryeparlamentarit vjen pas reagimeve nga opozita, e cila ka kërkuar që për devijimin e trasesë së autostradës të vendosë legjislativi.
“Mendoj që për çështjen e autostradës do të merret vendim në Parlament. Ajo nuk është ende në fazën përfundimtare të saj nga ana e qeverisë”, ka thënë Krasniqi, transmeton KosovaPress.
Ndërsa lidhur me strategjinë për veriun të hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare, sikur thuhet në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, Krasniqi ka thënë se ligjvënësit e Kosovës ende nuk janë të njoftuar me të. Ndonëse në mbledhjen e 19 janarit, Kryesia e Kuvendit kishte kërkuar që Qeveria në një afat prej dy javësh të sjellë një informatë lidhur me zbatimin e Kushtetutës së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës.
Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se do të diskutohet për këtë strategji kur ajo të jetë në duart e ligjvënësve. “Ne do ta shqyrtojmë strategjinë për veriun, kur ajo do t’u dorëzohet deputetëve të Kuvendit të Republikës. Ajo nuk ka ndodhur ende”.