E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi në futboll

Katër klube të minoriteteve, kryesisht serbe, mund të jenë pjesë e familjes së futbollit kosovar nga sezoni i ardhshëm. Dy prej tyre: Kristal nga fshati Palaj i Obiliqit dhe Shtërpca, veç janë regjistruar në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), ndërsa një gjë të tillë pritet ta bëjë edhe një ekip nga Kamenica, e një tjetër nga fshatrat rajonit të Gjilanit.

Dy të parat, Kristal dhe Shtërpca, përbëhen nga futbollistë serbë, por në mesin e tyre ka edhe shqiptarë, ndërsa dy të tjerat janë 100 për qind serbe. Rreth kyçjes së këtyre klubeve në futbollin kosovar është duke u angazhuar nënkryetari i FFK-së, Predrag Joviç.

Ai shpjegoi se këto klube të minoriteteve do të kërkojnë nga FFK që t’ua mundësojë atyre që t’i nisin garat nga Liga e Dytë e Kosovës. Mirëpo, për ta quar deri në fund këtë ide, Joviç kërkoi përkrahje nga institucionet kosovare, përkatësisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Janë katër klube që dëshirojnë të jenë pjesë e futbollit kosovar. Ato janë të kombësisë serbe, por në radhët e tyre ka edhe futbollistë kosovarë. Neve na nevojitet ndihma nga Ministria e Sportit, pa të cilën nuk do të mund ta realizonim këtë ide të tyre”, ka thënë të dielën Joviç për Express.

Pas luftës, klubet serbe ishin të pakta që morën pjesë në sportin kosovar. Në basketboll, qe disa vite merr pjesë klubi serb Bambi. Në futboll, në 10 vjetët e fundit nuk është se nuk kishte klube të minoriteteve. Ato ishin të kombësisë turke, boshnjake, por edhe rome. Ndërsa, pjesëmarrja e këtyre klubeve serbe të futbollit do të jetë risi në futbollin kosovar të pasluftës.

FFK mirëpret klubet, pa dallim kombësie

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se shtëpia e futbollit kosovar i mirëpret të gjitha klubet që janë të interesuara për t’iu bashkuar futbollit kosovar, pa marrë parasysh kombësisë së tyre.

“Ky nuk është obligim për t’u pranuar ndërkombëtarisht apo diçka tjetër. Unë, si ish futbollist, mendoj se inkuadrimi i minoriteteve, e në këtë rast i klubeve serbe, është obligim moral i yni, ngase çdokush që jeton në Kosovë ka të drejtë të marrë pjesë në gara të tilla. Duhet t’u ofrohen kushtet këtyre të rinjve që të jenë në rrjedha të përgjithshme, e në këtë rast edhe në futboll”, tha Salihu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›