E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi si ndihmesë për sigurinë e Ballkanit

ARIAN STAROVA

Pas shndërrimeve demokratike të të gjithë hapësirës së vendeve ish-komuniste dhe sidomos pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, forma e ekzistencës së kombit shqiptar në Ballkan ndryshoi rrënjësisht duke ndikuar dukshëm edhe në gjeopolitikën e rajonit tonë.  Në vend të një shteti shqiptar, një krahine shqiptare autonome në Kosovë brenda kornizës jugosllave dhe disa grupimeve etnike shqiptare të mëdha e të vogla të nëpërkëmbura në të drejtat e tyre njerëzore dhe të shpërndara në disa shtete fqinje përreth Shqipërisë, tani kemi dy shtete shqiptare, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, dhe grupime etnike shqiptare të mëdha e të vogla, të cilat përgjithësisht ndodhen në kushte më të mira krahasuar me paravitet 2000. Ky realitet i ri gjeopolitik ka bërë që shqiptarët si komb dhe shqiptarët si organizime shtetërore ose politike të shndërrohen në faktor shumë të rëndësishëm të të gjitha zhvillimeve të rajonit tonë të Ballkanit.
Përgjithësisht, kur flitet për zhvillimet shoqërore të vendeve të veçanta ose të rajoneve, mund të dallojmë lehtësisht se ato mbështeten në një themel të përbashkët, në qëndrueshmërinë dhe sigurinë e jetës së njerëzve dhe të kushteve normale në të cilat ata jetojnë e kryejnë veprimtarinë e tyre të përditshme. Është tejet e mirënjohur ideja se pa paqe, qëndrueshmëri dhe siguri të jetës së qytetarëve dhe vendeve në të cilat ato ndodhen, nuk mund të ketë kurrfarë zhvillimi shoqëror, sepse kur kërcënohet jeta normale e njerëzve nuk mund të bëhet më fjalë për asnjë lloj veprimtarie tjetër përveç mbrojtjes apo sigurisë së saj. Vështrimi historik më i shpejtë që do ti bënim rajonit tonë të Ballkanit na shtyn të risjellim në vëmendje se pas viteve 1990 kanë ndodhur ndryshime rrënjësore edhe në qëndrueshmërinë dhe sigurinë e tij, të cilat janë pakrahasimisht më të mira se më parë. Disa vende të rajonit tonë janë futur tashmë në NATO duke u shndërruar në pjesë të mbrojtjes së përbashkët të kësaj Aleance. Të tjera vende janë në prag të futjes në NATO apo synojnë të bëhen pjesë e saj. Me ndryshime të pakta, thuajse të gjitha vendet e Ballkanit janë në të njëjtën gjendje edhe në lidhje me integrimet në Bashkimin Europian. E themi dhe e dëgjojmë shpesh të thuhet me të drejtë se Ballkani është kthyer nga vendi i konflikteve të pashtershme në vend paqeje, sigurie dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Madje, ai është bërë ofrues paqeje dhe sigurie për vende të tjera jashtë rajonit, siç po ndodh për shumë vite në përbërje të misioneve të NATO-s në Afganistanin e largët dhe në mbështetje të forcimit të lirisë së tij, por edhe në vende të tjera.
Kjo gjendje e re e sigurisë rajonale në Ballkan, vështruar në tërësi, është fryt i përpjekjeve të përbashkëta të të gjitha vendeve që bëjnë pjesë në të dhe i mbështetjes së fuqishme të aktorëve të tillë ndërkombëtarë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, Organizata e Kombeve të Bashkuara, NATO etj.
Shqiptarët, me të gjitha format historike të ekzistencës së tyre si komb në Ballkan, kanë dhënë dhe japin ndihmesë të pazëvendësueshme për krijimin dhe përparimin e kësaj gjendjeje të re të qëndrueshmërisë dhe sigurisë së Ballkanit. Do të doja të risjell në vëmendjen e të pranishmëve vetëm duke i përmendur kalimthi disa fakte madhore që i kanë shënjuar historikisht shqiptarët në Ballkan si faktorë paqeje, qëndrueshmërie dhe bashkëpunimi.
Para së gjithash, do të doja të përmend prirjen tradicionale të shqiptarëve për paqe e fqinjësi të mirë ndër shekuj, e cila njihet përmes faktit të njohur se shqiptarët nuk kanë bërë kurrë luftëra pushtuese gjatë historisë së vet. Edhe kur u është dashur të luftojnë, shqiptarët kanë qenë të detyruar ta bëjnë këtë për shkak të lirisë së munguar dhe në emër të saj. Shqiptarët kanë luftuar vetëm kur ua kanë ngushtuar hapësirën e tyre jetësore, por jo për ta zgjeruar atë në dëm të të tjerëve, pavarësisht prej propagandave të ndryshme nacionaliste që janë bërë e bëhen pandërprerë edhe sot e kësaj dite. Të tilla kanë qenë edhe lufta çlirimtare e Kosovës e fundit të viteve 1990 dhe ajo e Maqedonisë e fillimit të viteve 2000. Shqiptarët kanë luftuar përherë për të zhdukur gjendjet që ishin burim konfliktesh, çka do të thotë se kanë luftuar për krijimin e kushteve të reja që do të nxitnin paqen, bashkëjetesën dhe bashkëpunimin afatgjatë. Koha e ka provuar plotësisht këtë të vërtetë duke punuar për lirinë e të drejtat e shqiptarëve me mirëkuptimin dhe përkrahjen e aktorëve madhorë ndërkombëtarë. Prandaj, ndër shkaqet themelore të gjendjes së sotme paqësore e të sigurt të Ballkanit është zgjerimi i lirisë së shqiptarëve.
Historia ka dëshmuar se në periudha të caktuara shqiptarët janë shndërruar madje edhe në misionarë ndërkombëtarë të paqes, siç ndodhi gjatë njëzet e pesë vjetëve të luftërave fitimtare të Skënderbeut. Sot Shqipëria po vazhdon ta kryejë këtë mision në bashku me vende të tjera të rajonit dhe në përbërje të Aleancës Atlantiko-veriore, kurse Kosova, pasi i ka përcaktuar synimet e saj të vendosura për integrimin euroatlantik, është duke u përpjekur që të japë sa më parë ndihmesën e saj edhe në misionet ndërkombëtare të NATO-s. Këto fakte janë të rëndësishme thjesht sepse një vend ose një popull nuk mund të jetë misionar ndërkombëtar i paqes nëse nuk është i tillë në rajonin gjeografik ku bën pjesë.
Në ditët e sotme, shqiptarët po japin ndihmesë të jashtëzakonshme për paqen e qëndrueshmërinë e Ballkanit nëpërmjet zhvillimeve të përgjithshme dhe të shpejta ekonomike dhe shoqërore të vetvetes, zhvillimeve në Shqipëri dhe përparimit të pandalshëm të shtet-ndërtimit në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare ka vlerësuar shumë edhe rolin pozitiv të shqiptarëve të Maqedonisë. Qëndrimet e shprehura qartë, të mbajtura nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve pas ngjarjeve të dhimbshme të këtyre kohëve të fundit në Maqedoni, që shkaktuan vrasje shqiptarësh dhe maqedonasish, treguan edhe një herë për maturinë dhe shpirtin paqedashës të shqiptarëve. Nuk mund të mos përmendim këtu se shqiptarët e Malit të Zi kanë qenë faktor vendimtar i pavarësisë së këtij vendi gjashtë vjet më parë, duke ndihmuar përsëri për paqen e sigurinë e rajonit tonë.
Pas shndërrimeve demokratike të viteve 1990, ndihmesa e shqiptarëve në dobi të paqes, qëndrueshmërisë, sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkan u shpreh edhe nëpërmjet zhvillimit të një politike rajonale që i ka mbështetur dhe mbështet fort këto vlera të marrëdhënieve ndërkombëtare. Këtë e demonstron fare qartë politika e Shqipërisë, ajo e Kosovës si shtet i pavarur dhe qëndrimet politike të formacioneve politike shqiptare në shtetet e tjera fqinje si Maqedonia dhe Mali i Zi. Nuk duhen harruar fakte të tilla si përpjekja e paparagjykimtë e Shqipërisë për të normalizuar dhe zhvilluar marrëdhëniet me Serbinë shumë shpejt pas konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë, ose qëndrimi i Kosovës dhe qytetarëve të saj në mbrojtje dhe respektim të të drejtave të pakicave serbe në Kosovë, shumë shpejt pas një gjenocidi të tmerrshëm të regjimit të Millosheviçit kundër shqiptarëve. Këto janë vlera që kanë dëshmuar ndërkombëtarisht për një mënyrë të menduari të hapur e pranuese të shqiptarëve dhe që, natyrisht, janë ngulitur në vetëdijen a aktorëve ndërkombëtarë. Bashkëjetesa fetare e papërsëritshme e shqiptarëve është një argument tjetër në dobi të kësaj mënyre pozitive paqësore të të menduarit të shqiptarëve, e cila nuk lejoi që në trojet e shqiptarëve të zhvilloheshin ndonjëherë luftëra me natyrë fetare.
Për këto, por edhe për shumë arsye të tjera, është kënaqësi të të jepen mundësi si kjo e sotmja për të folur për rolin e shqiptarëve në dobi të paqes, qëndrueshmërisë dhe sigurisë së Ballkanit.
Në rrethanat e reja gjeopolitike të Ballkanit, ky rol i shqiptarëve për paqen dhe sigurinë e Ballkanit është rritur shumë, duke i shndërruar ata në fakt

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›