1 Maji apelon për punë dhe drejtësi
Çdo datë 1 Maj për punëtorët shënon ditën e shpresës. Kjo ditë rrit mundësinë dhe emancipimin që punëtoria të shkojë nga pafuqia e çorganizuar drejt fuqisë së organizuar për të siguruar punë me dinjitet, jetesë me dinjitet, drejtësi sociale e stabilitet shoqëror. Punëtorët protestojnë për mirëqenie sociale, ekonomike dhe shoqërore. Ata protestojnë për më shumë dije, arsim e kulturë si dhe për reforma arsimore të suksesshme dhe jo pseudoreforma arsimore që po shkatërrojnë arsimin në tërësi e veçanërisht arsimin publik. Këto pseudoreforma i kanë kthyer arsimtarët dhe pedagogët në skllevër të pushtetit dhe iu kanë hequr atyre pavarësinë ligjore dhe akademike duke abuzuar hapur me liritë dhe të drejtat e tyre në marrëdhëniet e punës dhe të karrierës. Reformat gjysmake dhe të korruptuara në sistemin shëndetësor, e kanë kthyer këtë sistem në një OJF biznesi duke humbur thelbin human të shëndetësisë. Manipulimi i statistikave duke fshehur papunësinë, inflacionin, borxhin, rritjen ekonomike, minimumin jetik, shkallën e varfërisë e të tjerë tregues fondamental për jetesën qytetare janë treguesit më të qartë të keqqeverisjes dhe keqpërdorimit të pushtetit. Shkatërrimi i statusit të nëpunësit civil e ka kthyer administratën shtetërore në një batalion militantësh të punësuar me përqindje aksionesh ndërmjet marrëveshjeve pseudopoltike në emër të bashkëqeverisjes e të integrimit. Mos miratimi i ligjit për moshën e tretë është një zhgënjim i madh për të gjithë armatën e pensionistëve shqiptarë të cilëve çdo ditë e më shumë u përkeqësohet ndjeshëm gjendja ekonomike e shëndetësore. Çdo ditë ballafaqohemi me mungesë të rendit e qetësisë, çdo ditë po shtohet në mënyrë të frikshme numri i vrasjeve, vetëvrasjeve, aksidenteve rrugore, vjedhjeve, dhunimeve, etj. Le të kujtojmë Kolumbinë e kromit në Bulqizë ku bandat e qeverisë përleshen për territore në shpellat e nëntokës, duke përvetësuar padrejtësisht dhe duke shkelur mbi gjakun e djersën e minatorëve. Moszgjidhja e konflikteve të pronësisë e abuzimi galopant me pronat po e mban peng Shqipërinë evropiane. Mashtrimet me kthimet, kompensimet, legalizimet e njohjet reale të pronareve faktikë, e kanë humbur besimin e qytetarëve tek qeverisja e vendit. Mospërmbushja e interesave të shtresës së vuajtur të persekutuarve politikë si edhe përdorimi i tyre në emër të demokracisë dhe antikomunizmit kanë krijuar problem të pariparueshëm tek kjo shtresë që edhe pas 20 vitesh demokraci vazhdon të persekutohet nga tutorët e tyre komunist. Manipulimi dhe mashtrimi për pensionim të parakohshëm dhe status të veçantë për profesionet e vështira industriale si minatorët, metalurgët, naftëtarët, gjeologët, kimistët, artistët, detarët, peshkatarët, ish ushtarakët, të cilët e ndërtuan Shqipërinë me gjakun dhe djersën e tyre dhjetëra vjeçare, jo vetëm që i kanë humbur shpresat te kjo qeverisje por kanë bërë të mundur dhe bashkimin e unifikimin e zërit të tyre me protestën tonë. Të gjitha këto të udhëhequra nga kryefjala e ditës që është varfëria e pjesës më të madhe të popullit dëshmojnë se shqiptarët janë të lodhur dhe duan punë, siguri dhe drejtësi.
