E Diel, 1 Nëntor 2026

Shenjat dalluese të fytyrës së një Presidenti-aksident

02-05-2012 / Nga Lavdrim Lita

Ky është fillimi i muajit në të cilën do të zgjidhet Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye njerëzit që debatojnë më së shumti për politikë, më tepër sesa politikanët, janë gazetarët, analistët, kamerierët, ambulantët, shoferët dhe berberët. Ata kanë një profil për veçoritë që duhet të ketë kandidati për president, duke u bazuar në eksperiencat e mëparshme. Po t’i përmbledhësh të gjithë opinionet, mendimet dhe dëshirat dalin në pah disa tipare kryesore me të cilën mund të konturohet profili i Presidentit të ri të Republikës.
Kuptohet vetiu tipari i parë që duhet të ketë kandidati për president, sipas opinionit lokal, është angazhimi i kandidatit për të refuzuar konsultimet me parlamentin për emërimet e Gjykatës e Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, presidenti duhet të drekojë me aragosta e paçe me përkrahës nëpër restorantet e bregdetit dhe të darkojë për qejf në kullën e Pezës, pas darke të flirtojë publikisht me liderin e opozitës, sidomos kur jemi në mes të një  sulmi ndaj rendit kushtetues. Presidenti duhet t’i quajë këto sulme thjesht “ngjarje në bulevard”.
Tipar i dytë që duhet të këtë kandidati për president, sipas opinionin sektar, është angazhimi i kandidatit për të dekoruar njerëz të aparatit shtypës të regjimit komunist në “Ditën e Drejtësisë”: të dekorojë për përkushtim të lartë prokurorë jakobinë me “medaljen e Mirënjohjes”, të dekorojë gjykatës që kanë dhënë dënime politike deri në varje me urdhrin “Mjeshtër i madh”, të dekorojë me pallaska gazetarë që prodhojnë lajmin e vjedhjes së orës së presidentit të SHBA-ve, të refuzojë çdo ligj për Lustracionin e figurave publike, të mbrojë këta njerëz me precedentë moralë nga sulmet politike të forcave antikomuniste.
Tipar të tretë që duhet të ketë kandidati për president, sipas opinionit familjar, është angazhimi i kandidatit për të zgjidhur çështjen e pronave të familjes së tij, të refuzojë çdo ligj për kthimin dhe kompensimin e pronave, të mbrojë me fanatizëm marifetet e trashëgimisë familjare.
Tipar i katërt që duhet të ketë kandidati për president, sipas opinionit të gjerë, është angazhimi i kandidatit për të folur me heshtje, të hajë fara lule dielli duke parë një ndeshje futbolli, të refuzojë të shkojë në festimet e Besëlidhjes së Lezhës, të refuzojë të shkojë në hapjen e ambasadës së Kosovës, të votojë për liderin e opozitës në zgjedhje parlamentare dhe lokale.
Tipar i pestë që duhet të ketë kandidati për president, sipas opinionit paramilitar, është angazhimi i kandidatit për të trafikuar emërimet të njëanshme në diplomaci, në ushtri, drejtësi, bankë, inspektorate, etj. Të ushtrojë të drejtën e faljes së të burgosurve, të japë tituj e dekorata nderi me një intensitet industrial.
Tipar i gjashtë që duhet të ketë kandidati për president, sipas pretencës mbrojtëse, është angazhimi i kandidatit për të zgjedhur nënkryetarin e KLD-së sipas projekteve politike të ardhshme, të lejojë nënkryetarin e KLD-së të dalë kundër minoriteve etnike brenda vendit, të lejojë nënkryetarin e KLD-së të vesh kostumin nacionalist për t’u aktivizuar sërish në politikë pas një mandate 5 vjeçar për të përgatitur territorin për zotërinë e tij bamirës, të lejojë kalërimin  e urrejtjes ndaj fqinjëve dhe minoriteve në vend e identifikojnë Shqipërinë me një vend jotolerant.  Presidenti i Republikës të lejojë që nr. 2 i drejtësisë të nisë një punë të dytë, me orar të plotë pa i kërkuar llogari për mungesën në detyrën funksionale. Sakaq të neglizhojë në mënyrë të paskrupullt anashkalimin e detyrës shtetërore, të skelë në mënyrë flagrante kushtetutën, të krijojë pështjellim institucional, të performojë dobët sistemi i drejtësisë ngase në këtë mënyrë janë më të kontrollueshëm levat e pushtetit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›