Takimi me Berishën, Rama: Pa rezultat, por dialogu vazhdon

Edi Rama / foto arkiv
Takimi mes dy krerëve partive kryesore duket se ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret. Kryesocialisti Rama u shpreh pas takimit se qeveria qëndron në emrin e propozuar prej saj, kurse ne nuk hyjmë në një garë emrash pa përcaktuar zgjidhjen me konsensus të kësaj çështjeje.
Rama u shpreh se takimi nuk pati asnjë zhvillim drejt një rezultati konkret, por ishte një bazë për të vazhduar drejt një zgjidhjeje konsensuale.
Për sot nuk ka asnjë zhvillim në drejtim të një rezultati konkret, por besoj se ka një bazë për të vazhduar me qetësi me respekt reciprok dhe me bindjen se kjo çështje duhet zgjidhur dhe se raundet nuk janë aty për tu konsumuar njëri-pas tjetrit vetëm duke folur dhe komunikuar, por janë aty që nesër për të bashkuar qeverinë dhe opozitën në një zgjedhje konsensuale.
Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë gjithë përpjekjet tona se ne nuk duam një president të PS, nuk duam të vendosim njëanshmërisht apo të imponojmë me çdo mënyrë, por duam që të kontribuojmë, tha Rama.
Presidenti i ri, Sequi takon Ramën në kafe
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, është takuar sot me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Takimi informal mes ambasadorit Sequi dhe kryesocialistit Rama po zhvillohet tek kafja e PS-së, ndërsa në fokus të bisedimeve mendohet të jetë zgjedhja e presidentit të ri të vendit.
Takimi Sequi-Rama zhvillohet vetëm disa orë përpara se kryesocialisti të takohet me kryeministrin Sali Berisha në kryesinë e Kuvendit.
Ndërkohë, nesër është edhe raundi i dytë i votimit në parlament. Mazhoranca ka zgjedhur si kandidat të saj, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, por kjo kandidaturë është kundërshtuar nga opozita, e cila e ka cilësuar si të njëanshme. /E.L/