E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intelektualët e Lulit, jo Tiranës

Henri Çili mendon drejt se u bë faktor me Iniciativën për Tiranën. Faktor për vete, por edhe për Universitetin. Më bën përshtypje dekori i ‘Iniciativës’. Dy ditë më parë, këta intelektualë, rreshtuar përpara 8 apo 9 gazetarëve kërkonin të flisnin për Tiranën.
Ajo që pyes me vete, por i pyes edhe intelektualët është: sa herë kanë pasur mundësinë të shprehen në media për problemet e Tiranës? Sa herë profesorët tanë të nderuar, kanë gjetur vend dhe hapësirë sa kanë dashur, në faqe gazetash, a kronika televizive gjithmonë kur e kanë kërkuar?
Si mund të thotë Ardian Civici që nuk ka gjetur vend në faqet e shtypit për të thënë mendimet dhe opinionet e veta jo vetëm për ekonominë, por edhe për Tiranën? Kush e ka penguar ndonjëherë profesorin e nderuar Dhori Kule, të bëjë në mënyrë publike kërkesat e tij, që nga infrastruktura e universiteteve, deri tek debatet me ministrinë e Arsimit për kuotat e universiteteve; apo edhe debatet me Bashkinë e Tiranës për korpusin universitar?
E kush mund të më tregojë, (pavarësisht dhjetëra telefonatave) sa herë kam komunikuar me maestro Zhani Cikon për problemet e Teatrit të Operas dhe Baletit, për sallat e ftohta deri në palcë aty ku duhet të dëgjohet muzikë elitare, apo për vizionin e tij për kulturën? Ka mbushur faqet e gazetave për këtë.
A mund të më thotë profesorja e nderuar, zonja Valentina Duka, se nuk ka gjetur vend në median shqiptare për çështje të historisë e të qytetit? Po ne vetë e kemi kërkuar dhe i kemi dhënë vendin që meriton, kujtoj rastin e fundit për marrëveshjen e sheltit detar me Greqinë.
E kush mund të thotë se njeriu i artit Bujar Kapexhiu, i rreshtuar së fundi haptazi me kandidatin e PD, Lulzim Basha, nuk ka pasur vendin që i takon për të shprehur problemet që ka në fushën e teatrit. Por sigurisht, unë dhe kushdo tjetër kur e dëgjojmë aktorin të thotë se Agim Krajka kishte lënë mësimin se donte të dëgjonte Lulin, dhe kjo shkakton hilaritet në sallë, patjetër që e mendojmë rreshtimin e aktorit.
Kurrsesi nuk mund të thotë zonja e nderuar Nevila Nika që nuk ka gjetur vend në zërat intelektualë jo vetëm të Tiranës por edhe të gjithë Shqipërisë, jo vetëm tek faqet e shtypit, por edhe në mediat vizive.
Po çmund të më thotë regjizori Kujtim Çashku, se nuk ka qenë faktor dhe aktor për Tiranën, pikërisht kur të gjitha mediat (dhe jo vetëm) e mbështetën kur qeveria kërkonte t’i merrte dhunshëm Universitetin? Sa e sa herë kemi debatuar e diskutuar me Çashkun për këto probleme, duke i dhënë faqe të tëra gazetash e minutazh televiziv. Po Romeo Hanxharin, me të cilin për vite radhazi kemi punuar bashkërisht për Orën e Tokës, e ka penguar ndokush të thotë ndonjë fjalë për Tiranën, përveçse ka gjetur mbështetjen e gjerë të medias?
A e ka penguar kush Sotiraq Hronin, në një punë shumë aktive e mbaj mend, që nga presidenca e deri tek OJQ-ja që drejton për të komunikuar për qytetin dhe brenda qytetit?
E këto pyetje, i ngre natyrshëm për të gjithë ata që deri dje i shërbyen një qëllimi: lancimit të kandidatit të PD për Bashkinë e Tiranës Lulzim Basha, dhe faktorizimit të iniciativës që sikurse thotë Henri Çili e bëri “kasten” në këtë kohë.
Tani, mua si gazetare më lind e drejta që gjithë këtyre intelektualëve të rreshtuar mes duartrokitjesh, t’u bëj disa pyetje, sepse ndoshta marr ndonjë përgjigje:
A e ka pyetur Sotiraq Hroni dhe Elsa Ballauri kandidatin Lulzim Basha se pse në 21 janar, pas vrasjeve, janë dhunuar qytetarë të pafajshëm ndërkohë që Basha ishte ministër i brendshëm? Dhe nëse po, çfarë u ka thënë ish-ministri?
A e kanë pyetur pedagogët e ekonomisë Ardian Civici e Dhori Kule ish- ministrin e Transporteve, se pse qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë miliona euro borxhe për rrugën e kombit dhe pse nuk u mor në konsideratë raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për abuzimet në këtë rrugë? Nëse po, çfarë përgjigje u ka dhënë kandidati Basha?
A e ka pyetur profesoresha e nderuar e historisë Valentina Duka, se si ishte puna që me pesë takime, ministri i Jashtëm firmosi marrëveshjen për sheltin detar me Greqinë, dhe që kjo marrëveshje skandaloze është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese? Nëse po, çfarë i ka thënë ish-ministri?
Njerëzit e artit, Çashkun, Kapexhiun e Maestro Zhanin nuk po i pyes, sepse Basha nuk ka mbajtur asnjëherë postin e ministrit të kulturës, përpos faktit se mund të ketë shkuar në teatër apo opera, dhe të ftohtin e dimrit e ka ndjerë në sallë sikurse dhe unë.
Por kam edhe një pyetje të fundit për gjithë grupin e intelektualëve që u rreshtuan dhe duartrokitën kandidatin Lulzim Basha, dhe jo qytetin e Tiranës (dhe shumë mirë e bën sepse gjithkush ka të drejtë të shprehet lirshëm): si është e mundur që kërkuat të lanconit dhe të impononit - në një sallë që të parët duhet të ishit ju, - gazetarët që kërkonin të dinin shumë për transparencën e fushatës? Si mund të qeshni dhe të buzëqeshni me shprehjen “kasetat s’i shpika unë, por i gjeta në mes tuaj”, kur për herë të parë duhet të kishit përshëndetur në bllok refuzimin e këtyre kasetave nga media, madje t’i bënit presion kandidatit tuaj që të mos censuronte gazetarët në fushatë? Këtë, unë nuk ia fal dot intelektualëve të Iniciativës.
Dhe përfundimisht, nuk kam asnjë dyshim duke parë edhe broshurën e fundit të nxjerrë prej tyre, me kopertinë në faqet kryesore për kandidatin e PD, Lulzim Basha: ju u rreshtuat me Lulin, jo me Tiranën.
Tirana që sot punojmë e jetojmë të gjithë, u ka dhënë çdo ditë hapësirë dhe zë jo vetëm për qytetin, por edhe për gjithë Shqipërinë. Ju krijuat KOP-in numër dy, shumë i ngjashëm me atë të parin e vitit 2005. Të shpresojmë të mos përfundojë si KOP-i ku filloi karrierën e vet Lulzim Basha.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›