Intelektualët izraelitë: E mbrojnë Grass’in
_927546.jpg)
Është e vërtetë se në shekullin 21 për vargje serioze ka fare pak vend. Por, nuk mund të mohohet se poezia, megjithatë, mbase edhe falë hermetizmit të saj, ka larguar shumë lexues, duke u shndërruar në njëlloj disipline letrare elitare, sepse sikur ka ikur nga realiteti politik në të cilin jetojmë sot.
Skandali rreth vjershës së Günter Grass, “Ajo që Duhet të Thuhet” (Was Gesagt Werden Muss), që javën e kaluar u botua në mediat gjermane, tregoi se disa vargje të fuqishme – qoftë edhe nëse ato nuk janë të shkruara mirë – edhe sot mund të nxisin debate. Madje, jo vetëm në vendin ku janë shkruar, por edhe më tepër në vendin të cilit i janë dedikuar. Kështu, për herë të parë në shekullin 21 ndodhi që pjesë e debatit për një poezi të jenë edhe politikanët.
Gjithashtu, për herë të parë në shekullin 21 ndodhi që autorit të një poezie të ndalohet hyrja në shtetin të cilit ia kushtoi vargjet e tij. Në fakt, Qeveria e Izraelit poetin e njohur gjerman e shpalli persona non-grata, dhe kërkoi që atij t’i merret edhe Çmimi Nobel për Letërsi Grass.
Megjithatë, përkundër reagimeve negative që në Izrael nxiti vjersha e Grass, atje u shënuan edhe disa reagime të tjetërfare, ndonëse atyre nuk iu dha shumë publicitet.
Për shembull, profesori në Universitetin e Jerusalemit, Mosche Zimmermann, në një tekst të botuar në revistën gjermane ‘Der Spiegel’, shkruan “se nuk është punë e qeverisë izraelite që të vlerësojë veprat dhe deklaratat e artistëve, dhe që pastaj t’i keqpërdorë për qëllime të saj politike”, duke i cilësuar reagimet si “një tentim për censurë”.
Profesori Zimmermann u mor edhe me një dukuri shqetësuese në shoqërinë izraelite, që është “kërkimi i pandërprerë i dëshmive se e gjithë bota është kundër Izraelit”. Në fakt, Zimmermann konsideron se me vjershën e tij Grass iu shkon pë uji ekstremistëve izraelitë, dhe se përmes saj ai ka arritur pikërisht të kundërtën e asaj që ka deklaruar ta ketë pasur për qëllim – ndalimin e luftës potenciale ndërmjet Izraelit dhe Iranit.
“Reagimi i qeverisë së Izraelit tregon se Grass i ka bërë një shërbim të keq paqes botërore”, thekson Zimmermann në shkrimin e tij.
Në mbrojtje të shkrimtarit gjerman është vënë edhe kolumnist i respektuar i gazetës ditor izraelite ‘Haaretz’, Gideon Levy. Levy konsideron se “në vjershën ‘Ajo që Duhet të Thuhet’ sigurisht që ka shumë gjëra që do të duhej të thuheshin”, sepse vërtet “duhet të guxohet të thuhet se politika aktuale e Izraelit e cenon paqen në botë”. Për më tepër, kolumnisti Levy nënvizon se “është e padurueshme situata, në cilën askush nga Gjermania nuk guxon ta kritikojë Izraelin”.
Ndërkohë, shkrimtari izraelit, Ari Avnery, ndalimin e hyrjes në Izrael të shkrimtarit Gunter Grass e konsideron “një marrëzi totale”. Ai as poezinë e tij që e prodhoi këtë veprim nuk e cilëson si antisemitiste.
“Mendoj se antisemtiste është që të kërkohet nga Gjermania që ajo kurrë të mos guxojë ta kritikojë Izraelin”, theksoi shkrimtari Avnery.
Ndryshe, edhe disa politikanë, si Renata Künast (nga Partia e të Gjelbërve) dhe ministri i gjerman i Shëndetësisë, Daniel Bahr (nga partia FDP) konsiderojnë se vendimi i qeverisë izraelite për ndalimin e hyrjes së Grass në Izrael është “një reagim krejt i huqur dhe i tepruar”.