E Shtunë, 31 Tetor 2026

Behrami beson në projektin e Fiorentinës

Valon Behrami i beson projektit të Fiorentinës dhe është i gatshëm të lidhet me këtë klub për një periudhë afatgjate. Mesfushori kosovar ishte rikthyer në Itali, përkatësisht tek klubi Viola, në janar të vitit të kaluar, pasi e kaloi një periudhe jo dhe aq të suksesshme në Angli, me West Ham United.

Ai u bë lojtar i rëndësishëm i klubit nga Firenze. Prandaj, drejtuesit e Fiorentinës dëshirojnë ta fillojnë së zbatuari projektin e ri duke u nisur nga përfaqësuesi zviceran. Edhe vetë 26 vjeçari ndihet i gatshëm për të qenë pjesë e klubit nga Artemio Franchi edhe në të ardhmen.

“Nuk më pëlqen të jap deklarata që u pëlqejnë njerëzve. Unë jam i lidhur me këtë klub, kam raport të shkëlqyeshëm me familjen Della Valle, raport të sinqertë. Është një raport që ma mundëson, kur kam probleme, që të flas me ta dhe ata e bëjnë të njëjtën gjë me mua. Jam i gatshëm të lidhem me projektin e kësaj Fiorentinë, një projekt që ekziston dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, deklaroi Behrami për uebfaqen Calciomercato.com

Kontrata e Behramit skadon në qershor të vitit 2013, por ka mundësi të mira që ai ta vazhdojë atë. “Është herët të flitet për kohëzgjatjen e projektit të ri, sepse ne po mendojmë më shumë se si të dalim nga kjo situatë. Kur Diego Della Valle ka ardhur të na kërkojë në Milano, ka thënë se dëshiron absolutisht që të rifillojë. Ai e di se Fiorentina është pjesë e një qyteti të rëndësishëm, që e meriton Evropën. Dhe, ky do të jetë objektivi i viteve të ardhshme, duke kaluar nga vuajtjet finale të këtij sezoni”, përfundoi Behrami.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›