Inteligjenca artificiale mund ta bëjë më të vështirë zbulimin e mashtrimeve

Bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale (AI) mund t’i bëjë mashtrimet dhe dezinformimin më të vështirë për t’u dalluar.
Duke folur për BBC, Wozniak thotë se ka frikë se teknologjia do të shfrytëzohet nga “aktorë të këqij”.
Wozniak, i njohur më mirë në botën e teknologjisë si Woz, është një veteran i Silicon Valley i cili bashkëthemeloi Apple me Steve Jobs dhe shpiku kompjuterin e parë Apple.
Termi AI mbulon sistemet kompjuterike të afta për të kryer detyra që normalisht do të kishin nevojë për inteligjencë njerëzore. Kjo përfshin chatbot të aftë për të kuptuar pyetjet dhe për t’u përgjigjur me përgjigje të ngjashme me njeriun, dhe sisteme të afta për të njohur objektet në foto.
Wozniak nuk beson se AI do t’i zëvendësojë njerëzit sepse i mungojnë emocionet, por ai paralajmëroi se, sipas tij, do t’i bëjë “aktorët e këqij” edhe më bindës, sepse programe si ChatGPT mund të krijojnë tekst që “tingëllon kaq inteligjent”.
Ai mendon se përgjegjësia për çdo gjë të krijuar nga Inteligjenca Artificiale dhe më pas e postuar në publik, duhet t’u mbetet atyre që e publikojnë: “Një njeri duhet të marrë me të vërtetë përgjegjësinë për atë që gjenerohet nga AI”.
Wozniak thotë se mundësitë e humbura në lindjen e internetit kanë mësime për arkitektët e sotëm të Inteligjencës Artificiale. Ai beson se “nuk mund ta ndalojmë teknologjinë“, por ne mund t’i përgatisim njerëzit në mënyrë që ata të jenë më të arsimuar për të dalluar mashtrimet dhe përpjekjet keqdashëse për të marrë informacione personale.
/rtsh.al/