Lelclerc: Ky Ferrari i paqëndrueshëm

Në shtëpinë e Ferrarit ka pllakosur hidhërimi. Çmimi i Madh i Miamit konfirmoi se shpejtësia në kualifikuese nuk përsëritet në garë. Madje në garë, diferenca e shpejtësisë me Red Bullin rritet në mënyrë dramatike. E zhgënjimi i Charles Leclerc pas vendit të 7-të në Majemi është i dukshëm: “Kemi një makinë që jep përgjigje të mira në kualifikuese, por e kundërta ndodh në garë – ka thënë piloti i Ferrarit. – Këtu duhet të fokusohemi. Me gomat e mesme kisha vështirësi në kthesa, makina ka shumë vibrim dhe duhet të isha i kujdesshëm që të mos konsumoja gomat e përparme. Me gomat e forta isha më mirë, por duhet të jemi më të qëndrueshëm në garë.
Në garën e ardhshme në Imola do të jetë më e vështirë të parakalosh dhe një pozicion i mirë i arritur në kualifikueset mund të na ndihmojë”. Të ngjashme me shokun e skuadrës janë edhe konsideratat e Carlos Sainz, pavarësisht se spanjolli pretendonte se e kishte gjetur veten më mirë me gomat e mesme sesa me ato të forta: “Kam ecur më mirë me gomat e mesme, madje më mirë se Aston Martin. Është e çuditshme për ne të luftojmë aq mirë të shtunën dhe më pas të vuajmë në garë. Jemi në një pozicion që duhet të provojmë shumë gjëra, sepse nuk e kuptojmë arsyen se përse vuajmë aq shumë në garë.
Nga Imola e deri në Barcelonë do të provojmë disa gjëra” – ka thënë piloti spanjoll. Zhgënjimi është i dukshëm edhe në fjalët e drejtorit të ekipit Frederic Vasseur: “Është shumë e çuditshme. Në Majemi ishim shumë të paqëndrueshëm. Duhet të kuptojmë arsyet. Ka një mospërputhje me njëvendëshet të cilat njëherë ecin mirë dhe një herë shuhen, humbin rimtin. Përditësimet do të vijnë në Imola, por ato nuk janë kryesore. Përmirësimi i Red Bullit nga kualifikueset në garë është befasues. Nëse shikojmë ritmin e garës, jemi pak a shumë në të njëjtën zonë me Aston Martin dhe Mercedes, ndërsa Red Bull fluturon”.