E Diel, 1 Nëntor 2026

Inter-Juve, dueli zbret nga Gjykata në "San Siro"

ROME-Interi në këtë kampionat ka treguar se është më i fortë se Juventusi, por çdo ndeshje ka historinë e saj. Alberto Zakeroni "nxeh" supersfidën e "San Siros" sot në mbrëmje, i bindur se skuadra e drejtuar prej tij do të zhvillojë një ndeshje të madhe. Në fakt, ka një pritshmëri të madhe për përballjen e sotme, sidomos pas asaj çfarë po ndodh në sallat e Gjykatës së Napolit. Juventusi u dënua 4 vjet më parë me zbritjen në Serinë B, por përgjimet e reja të nxjerra në dritë nga avokatët e Luçiano Moxhit kanë ngritur jo pak dyshime edhe mbi veprimtarinë e drejtuesve të Interit, që gjithashtu flisnin me drejtuesit e sektorit të arbitrave në Federatën Italiane. "Por, shqetësimi ynë i vetëm është të grumbullojmë pikë për Champions League, të tjerat kanë pak rëndësi, - thotë Alberto Zakeroni. - Nuk mendoj se lojtarët do ta kenë mendjen te titulli i hequr, por te klasifikimi. Nesër (sot) është shansi ynë, duhet ta shfrytëzojmë. Unë e kam ndjekur pjesërisht procesin e Napolit, pasi preferoj të merrem me ndeshjen. Juvja e ka organikën të luftojë me Interin edhe në periudha afatgjata".Interi e nis si favorit ndeshjen e sotme, duke parë edhe diferencën në renditje, megjithatë për Zakeronin kjo nuk ka shumë rëndësi kur dy skuadrat të zbresin në fushë për atë që vazhdon të quhet "derbi i Italisë". "Nesër (sot) në fushë dua të shoh një Juve shumë të fortë. Në javët e fundit kemi dhënë disa sinjale, kështu që në "San Siro" pres Juven më të mirë, - shton tekniku bardhezi. - Diferenca e madhe në renditje? Që kur unë kam ardhur në Torino Inter e Juve kanë grumbulluar njësoj pikë. Të dyja skuadrat duhet të vrapojnë për të marrë pikë të tjera. Juventusi në fillim të sezonit u ndërtua për të fituar", shpjegoi "Zak".
SKUADRAT
Në lidhje me formacionin që do të hedhë në fushën e lojës, Alberto Zakeroni përgjigjet se "do të luajë ai që është më mirë, ndërsa do mundohem të mos lodh të njëjtët futbollistë". "Vetëm të premten do të vendos se cili do të luajë. Duhet të vlerësoj futbollistët që kam në dispozicion dhe kondicionin e tyre, kjo vlen për të gjithë, madje edhe për Diegon, - shprehet trajneri i "Zonjës së Vjetër". - Do ketë edhe lojtarë që u duhet të përshtaten me role të reja. Të gjithë lojtarët tani po përpiqen të japin diçka më shumë. Pse nuk e kanë bërë këtë deri tani? Sepse u është dashur të zbresin në fushën e lojës në kushte jo optimale", shpjegoi Zakeroni. Në lidhje me Interin dhe faktin që skuadra e Murinjos lufton në tre fronte, trajneri i Juventusit, që dikur ka drejtuar edhe zikaltërit thotë: "Ata nuk duhet të zgjedhin mes kampionatit dhe Champions League. Zakonisht në situata të tilla nuk zgjidhet, por kërkohet të ecet përpara në të dyja kompeticionet. Interi nuk më duket një skuadër jo në formë, thjesht kanë patur një rënie të tensionit, pasi nuk është e lehtë të qëndrosh gjithnjë me një përqendrim të lartë. Për titullin kampion është ende një luftë mes tre skuadrash".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›