E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter merr dhe kurorën e Evropës



Leonard Karaj

Një dopietë e Diego Militos i ka dhënë trofeun e Kupës së Kampioneve skuadrës së Interit, pas 45 vitesh agjërim.
Evropa vishet zikaltër. Interi arrin të fitojë edhe trofeun më të rëndësishëm të kontinentit duke siguruar për herë të parë në historinë e vet, tripletën: kampionat, kupë Italie dhe Champions. Kjo falë një skuadre e mirëorganizuar duke filluar që nga porta e deri tek sulmi, me në krye Jose Murinjon. Portugezi tregoi edhe një herë që mund dhe është më i mirë se “mësuesi” i tij, Lusi van Gal. Murinjo hodhi në fushë një skuadër totalisht sulmuese me Militon, Etonë, Pandevin dhe Shnajderin duke çoroditur jo pak herë mbrojtjen statike dhe hera-herës dhe mjaft amatorkeske të Bajernit. Gafat e Demikelis dhe Van Bujtenit i dhuruarn si fillim Interit dy golat e shënuar nga Milito, por jo në pak raste sulmuesit zikaltër do të mund të kishin shënuar edhe më shumë nëse Jorg But nuk do të neutralizonte dy gjuajtje mjaft të bukura të Shnajderit dhe Pandevit. Nga ana tjetër Bajerni i besoi fantazisë së Arjen Robenit, por holandezi i mbetur totalisht i vetëm dhe i mirë-markuar nuk arriti të dilte në lojën e tij. Gjithsesi, të tijat tri gjuajtje spektakolale, po aq sa edhe pritjet nga ana e portierit brazilian të Interit, Hulio Sezar.
Ndërkohë te Bajerni, veç mbrojtjes çaloi shumë edhe sulmi ku kroati Ivica Oliç nuk arriti asnjëherë të rrezikonte portën e Interit. Madje në pjesën e parë ai nuk mund të gjuajë asnjëherë në drejtim të portës kundërshtare. Ndërsa jo pak gaboi edhe i riu Tomas Muller, i cili në të paktën një rast, në minutën e dytë të pjesës së dytë, ballë për ballë me portierin e Interit gaboi rëndë duke gjuajtur në trup të Sezar. Në fraksionin e dytë të lojës Van Gal luajti edhe kartën: Klose dhe Gomez, por pa asnjë rezultat pasi Interi u tërhoq në mbrojtje duke përdoruar më së shumti kundërsulmet, nga të cilat erdhi edhe goli i dytë i Diego Militos. Ndërkohë, nga dita e sotme në qendër të vëmendjes do të rikthehet çështja “Murinjo” nëse ai do të qëndrojë te Interi edhe në vazhdim apo do të largohet për te Reali i Madridit, sikundër kanë konfirmuar gjatë këtyre ditëve mediat spanjolle.

Shqipëria vishet zikaltër
Fitorja e Interit pas 45 vitesh në Kupën e Kampioneve është festuar edhe në Shqipëri. Në shumë qytete të vendit trofeu i skuadrës zikaltër është festuar me fishekzjarre nga ana e tifozëve të shumtë të kësaj skuadre edhe në vendin tonë. Ndërkohë baret e Tiranës kanë qenë të veshuar zikaltër deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa festa pati nisur që në shënimin e golit të dytë nga ana e Militos. Nuk janë regjistruar incidente dhe të gjitha festimet kanë qenë kryesisht në lokalet dhe ambientet ku është ndjekur kryesisht kjo përballje. Ndërkohë sipas të dhënave të RAI-t, vetëm në Itali kjo ndeshje është parë nga më shumë se 14 milionë njerëz.

Gjermanët, “zjarrin” Madridit
Ka kaluar çdo kufi zemërimi i tifozëve bavarezë pas humbjes së djeshme në Madrid të skuadrës së tyre. Pas ndeshjes kryeqyteti spanjoll është bërë arenë e përplasjeve mes tifozëve të Bajernit dhe forcave të shumta të policisë. Faktikisht vetëm për këtë takim kishin ardhur nga Italia e Gjermania mijëra forca policie, duke iu bashkuar kolegëve spanjolle për të mbajtur qetësinë në Madrid. Shumë rrugë pranë stadiumit u mbyllën por edhe pas gjithë këtyre masave pas takimit nuk munguan incidente të shumta. Ndërkohë deri në orët e para të ditës së sotme nuk u raportuan plagosje të rënda ose humbje jete mes tifozëve.

Notat, Shnajder e Roben më të mirët në fushë
Dy holandezë kanë qenë më të mirët në fushën e lojës në finalen e mbrëmshme në Madrid. Por njëri prej tyre ka qenë edhe më spektakolar se tjetri. Faktikisht Uesli Shnajder është konsideruar si futbollisti më i mirë për të dyja skuadrat, teksa është vlerësuar me notën më të lartë, 9-të. Ndërsa Arjen Roben është vlerësuar si lojtari më i mirë ndër bavarezët, duke marrë notën 7-të. Vlerësimet janë bërë nga specialistët e goal.com të cilët kanë dhënë (jo paqëllim) nota mjaft të lartë për thuajse të gjithë lojtarët e Interit. Ndërkohë futbollisti më i dobët në fushën e lojës sipas këtyre të fundit është kroati Ivica Oliç. Sulmuesi faktikisht nuk arriti asnjëherë që të rrezikonte portën e Sezar. Madje ai nuk mundi të gjuajë asnjëherë në drejtim të portës.

Inter: Julio Cesar – 7, Javier Zanetti - 6.5, Lucio - 7.5, Samuel Eto’o – 6, Uesley Sneijder – 9, Maicon - 6.5, Esteban Cambiasso – 7, Diego Milito – 9, Valter Samuel – 7, Cristian Chivu – 6, Goran Pandev - 7.5

Bayern: Hans Jorg Butt – 7, Daniel Van Buyten - 6.5, Martin Demichelis – 5, Hamil Altintop – 6, Arjen Robben – 7, Ivica Olic – 3, Mark Van Bommel - 3.5

Bayern-Inter 0-2

Shënues: Diego Milito 35’, 70’
Gjyqtar: Hauard Ueb (Angli)
Kartonë të verdhë: Martin Demichelis 25'. Mark van Bommel 78’/ Cristian Chivu 30’

BAYERN: Hans Jorg Butt, Daniel van Buyten, Martin Demichelis, Hamit Altintop (Miroslav Klose 63’), Arjen Robben, Ivica Olic (Mario Gomez 74’), Mark van Bommel, Philipp Lahm, Thomas Muller, Holger Badstuber, Bastian Schveinsteiger.
Trajner: Luis Van Gaal

INTER: Julio Cesar, Lusio, Maicon, Javier Zanetti, Valter Samuel, Cristian Chivu (Dejan Stankovic 68’), Esteban Cambiasso, Goran Pandev (Sulley Muntari 79’), Samuel Eto’o, Vesley Sneijder, Diego Milito (Marco Materazzi 90’).
Trajner: Jose Mourinho

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›