E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaket superstrada, dy të vdekur



LAç/ ROLAND NIKOLLI

Aksidenti me vdekjen e dy të rinjve përgjak pasditen e së shtunës në Laç. Ata po udhëtonin me motor në rrugën që të çon drejt Patokut kur u përplasën fatalisht me një kamion. Viktimat janë Sajmir Turja, 20 vjeç dhe 17-vjeçari Alban Zajsi, i cili mësohet se është nip i prefektit të Lezhës, Pal Dajçi.
Aksidenti tragjik u shënua rreth orës 16:00, gjatë një tentative parakalimi të drejtuesit të motorit, Turja. Sipas burimeve zyrtare të policisë bëhet e ditur se ngjarja ndodhi në afërsi të kryqëzimit të rrugës së Patokut, në kohën kur kamioni me targë LA 0261 A po udhëtonte nga Laçi për t’u futur në superstradë. Të dy mjetet pohohet se lëviznin në të njëjtin drejtim, duke lënë qytetin për të vazhduar udhëtimin në rrugën nacionale. Dy të rinjtë kanë dashur ta parakalojnë mjetin e rëndë, por dyshohet se shpejtësia e madhe dhe guralecët e vegjël që kishin mbuluar rrugën, kanë bërë që Turja të humbiste kontrollin e motorit e për pasojë të përplaseshin me kamionin. Mësohet se Turja ka mbetur i vdekur në vend për shkak se goditja ka qenë ballore e shumë e fuqishme. Dëshmitarët okularë kanë nxituar t’i japin ndihmën e parë pasagjerit, i cili ndonëse me plagë të rënda kishte ende shenja jete. Ai është transportuar për në spitalin e Laçit për ndihmë të parë, por për shkak të gjendjes kritike u transportua për në spitalin ushtarak. Fatkeqësisht, Zajsi ndërroi jetë pa arritur t’i nënshtrohet një ndërhyrje të specializuar. Në vendin e aksidentit bashkë me grupin hetimor ka shkuar dhe policia rrugore e Kurbinit, pasi rruga ka qëndruar e bllokuar për rreth 30 minuta. Nga veprimet e para ka rezultuar se motori ka qenë me shpejtësi, e rritur më tepër në momentin e parakalimit. Por, gurët e vegjël mbi asfalt dyshohen se kanë provokuar humbjen e kontrollit e për pasojë përplasjen me kamionin, në kohën kur ai po kthehej në superstradë. Në afërsi të kryqëzimit të rrugës së Patokut vazhdojnë të kryhen punime për zgjerimin e autostradës. Për pasojë edhe rruga në të dy anët e saj dhe pranë saj është e mbushur në shumicën e rasteve me gurishte. Këto janë dyshimet e para, pasi policia e Kurbinit nuk ka dhënë ende një version përfundimtar mbi shkaqet e aksidentit të dyfishtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›