Inter nuk njeh rivalë, fiton derbin me 9 vetë
SAN SIRO- Ky Inter nuk ka rivialë! Pas derbit të mbrëmshëm ndaj Milanit një gjë e tillë mund të thuhet me plot gojën. Në inferioritet numerik për 70 minuta, zikaltërit e drejtuar nga Murinjo arrijnë të triumfojnë 2-0 ndaj kushërinjve kuqezinj, duke treguar se janë ata padronët e Serisë A. Ka dhuruar emocione deri në çastet e fundit derbi i djeshëm, megjithëse arbitri ishte i vetmi person jo në lartësinë e situatës. Një karton i kuq për duartrokitje ndaj Shnajderit në pjesën e parë, i hoqi jo pak bukuri kësaj sfide që vendoste jo pak sa i përket betejës për vendin e parë. Interi në fund ka arritur të fitojë, megjithëse në minutën e parë shtesë (gjyqtari dha 5 të tilla), mbeti me 9 vetë për një karton të kuq të Lusios. Një provë karakteri për ekipin e Murinjos, që tregoi se di të reagojë në situata të vështira. Zhulio Sezar, Milito, Maikon, Pandev apo Zaneti, ishin heronjtë e Interit, decizivë në çdo çast të sfidës. Pjesa e parëNuk ishin të shumta rastet në këtë fraksion. Ndeshja nisi me një shtyllë të Shnajder, njeriu më në formë i Interit. Milani përpiqet të reagojë, por është i pafuqishëm përballë zikaltërve të mirëvendosur në prapavijë. Në minutën e 8-të Shnajder përfiton nga një gabim i mbrojtjes dhe për pak nuk shënon, por Dida është në pozicion. 2 minuta më pas, sërish nga një gabim i mbrojtjes kuqezi, Diego Milito mposht portierin kuqezi me një diagonale perfekte. Në këto momente Interi është dominues në çdo sektor të fushës, por minuta e 26-të sjell episodin më të dyshimtë të ndeshjes. Një faull në mesfushë ndaj Lusios, që arbitri e konsiderone simulim dhe jep karton të verdhë. Shnajder duartroket me ironi dhe për holandezin karton i kuq. Morati "tërbohet në tribunë, ashtu si Murinjo në pankinë. "Arbitrit Roki në disa momente i del situata nga duart, megjithatë skuadrat shkojnë me këtë rezultat në dhomat e zhveshjes.Pjesa e dytëMasimo Morati del nga dhomat e zhveshjes së Interit, pas një 15-minutëshi ku iu ka dhënë kurajo zikaltërve. Milani megjithatë është i tëri në sulm. Futja e Sedorf shpejton manovrën dhe zikaltërit kanë dy mundësi të mira. Në fillim është Ronaldinjo që godet, por Zhulio Sezar është në pozicion. Më pas, Borrielo godet lart me kokë. Në minutën e 63-të Pandev ka një mundësi të artë, por godet shtyllën pas asistit të Militos. Dy minuta më pas, një faull i marrë nga Maikon, i jep mundësinë maqedonasit të realizojë golin e parë në derbi dhe të hyjë në zemrat e tifozëve zikaltër. Gjuajtja e tij ishte e pakapshme për Didën. Ndeshja më pas hyn në rrjedha qetësie, por në minutën e parë shtesë arbitri akordon një penallti për Milanin, pasi Lusio ndaloi me dorë gjuajtjen e Huntelar. Karton i kuq për brazilianin, ndërsa nga pika e bardhë Ronaldinjo gabon. Heroi tjetër i Interit bëhet Zhulio Sezar. Ndeshja mbyllet kështu, me zikaltërit që tashmë janë 9 pikë larg.(s.g/BalkanWeb)