Përkundër dhunës, sirianët në referendum

14 milionë sirianë u ftuan nga regjimi i Baschar Al Assadit për të votuar ndryshimet kushtetuese. Nëse projektkushtetuta aprovohet, atëherë brenda 90 ditësh do të mbahen zgjedhje parlamentare.
Opozita refuzon projektkushtetutën, sepse ajo nuk kufizon pushtetin e presidentit. Ajo e ka cilësuar votimin në kushtet e dhunës si një farsë dhe ka bërë thirrje për bojkotim. Të rejat e saj kanë të bëjnë kryesisht me pozicionin monopolist të qeverisë në pushtet, Partisë Baath dhe kufizimin e kohës së qëndrimit në pushtet të presidentit në dy herë nga shtatë vjet.
Përveç kësaj, opozita druhet se në të ardhmen vetëm grupimet e afërta me qeverinë mund të formojnë parti. Ndërkohë, dhuna në vend vazhdon. Në gjithë vendin ditën e shtunë u vranë sipas të dhënave të aktivistëve sërish 100 persona, prej tyre 24 vetëm në qytetin Homs.
Grupet opozitare brenda, si dhe jashtë Sirisë dhe shumë qeveri e kanë kritikuar mbajtjen e referendumit, në kohën kur forcat qeveritare siriane po i sulmojnë grupet opozitare në disa qytete, gjatë dhunës, e cila po vazhdon tash e 11 muaj, ndërsa nuk shihet ndonjë përfundim eventual i saj.