E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kultura e hajdutërisë

Këto ditë në Orikum, pasi u larguan anijet luftarake angleze nga baza e Pashalimanit, mbetëm pa drita. Zakonisht aty dhe në gjithë bregun e Vlorës. dritat iknin sa herë mësyn kohë e keqe, me erë e shi, ngaqë linja, si më patën thënë orikumasit, “ishte e kohës së qepës”, e dobët, ndaj nuk i përballonte erërat. Meqë koha ishte e kthjellët, pyeta dhe më thanë se kësaj here shkak ishte ajo gjëja e rëndomtë, që nuk na bën përshtypje, më se e zakontë e botës tonë “të lirë dhe demokratike”: Vjedhja e telave të energjisë, që edhe aty u krye nga disa persona të paidentifikuar.

Hajdutët tanë janë aq “të mençur” sa nuk e kuptojnë se kësisoj do të mbeten edhe vetë pa drita, jo vetëm familjarët, por edhe furrat e bukës, spitalet dhe ambulancat...Aq shumë jemi familjarizuar me hajdutërinë, sa nuk e dimë sa i ka kushtuar kjo dukuri rrënimtare shoqërisë, ndonëse mund të verifikohet lehtë, jo vetëm nëpërmjet shpërdorimeve të financave, të pasurive dhe aseteve publike, të cilat nuk i llogarit kush!, por edhe nga borderotë e lloj-lloj policive shtetërore dhe private, të cilat kanë rrëmbushur tejembanë Shqipërinë. Nuk besoj të ketë vend në Evropë të krahasohet me ne! Në këtë fushë, po, me siguri që ne zëmë vend të parë: Zor të gjendet një i dytë në Evropë që për numër popullsie të ketë kaq shumë polici shtetërore, bashkiake, pyjore, rrugore, ujore, mjedisore, etj. etj, për të mos numëruar badigardët dhe rojet!...E megjithatë vjedhjet, vrasjet, grabitjet në mes të ditës dhe në qendër të kryeqytetit, bashkë me maskat e rrugëve nacionale dhe abuzimet me tendera nuk pakësohen, përkundrazi! Për të mos përmendur rritjen e pafrenuar të të burgosurve ordinerë nëpër burgje, edhe pse fatura për një të burgosur na kushton mbi 400 mijë lekë ( të vjetra) në muaj!

Sot për sot veprimtaria më legale dhe më dobiprurëse quhet vjedhja dhe investimi për mbrojtjen prej hajdutëve dhe plaçkitjeve të mundshme. Mund të vidhet prindi, bashkëfshatari, komshiu, si ndodhi në një katund të Orikumit ku këto ditë u bastisën nga maskat dy pleq, për të disatën herë, të cilët, si doli më vonë, ishin disa të farefisit... Hajdutëria jo vetëm që nuk ka moshë, nuk njeh kufi nuk bën dallim, por ama po zure punë në shtet, në tatime, dogana apo policitë ndërtimore, ku sipas aftësisë për të vjedhur, mund të gdhihesh shumë shpejt i kamur e tejet i rëndësishëm. Këto janë fabrikat e vjedhjeve “me duar të pastra e këmisha të bardha”. Teksa po shkon drejt fundit rrënimi i pasurive të përbashkëta, tani po sulmohen nga babëzia edhe bashkitë e komunat, spitalet, shkollat e universitetet, gjykatat, burgjet dhe komisariatet, ku trafikohet ose vdekja, ose liria e pakushtëzuar e kriminelëve, sekserëve dhe keqbërësve profesionistë. Ai që është më i zoti mund të vjedhë një mandat, një post, një institucion të varur a të pavarur, sidomos kreun e ndonjë partie, që të bëhet i paprekshëm nga ligjet dhe Drejtësia! Tani janë partitë e kryetarët e tyre ato që e kanë “institucionalizuar” hajdutërinë në shkallë kombëtare, duke e bërë moralin e vjedhjes aktin më të respektuar e të nderuar, kushtin më të besueshëm për të bërë karrierë!
***
Para disa ditësh u arrestuan disa të rinj, të cilët paskëshin vjedhur shinat e trenit fill pasi kishin nisur punimet për terminalin e ri të Tiranës...Por kurrë nuk kam dëgjuar të arrestohen e ndalohen ata që vjedhin pusetat e rrugëve, edhe pse kapja e tyre është punë e lehtë, mjafton që të kontrollohen pikat e grumbullimit, qoftë edhe nga policitë bashkiake. Kjo është tregtia më e lulëzuar e hajdutërisë në shkallë kombëtare, aq sa janë zhveshur mbrojtëset anësore të autostradave, njëlloj si e kanë pësuar “me licencë zyrtare” nëndetëset, uzinat, kombinatet, TEC-et, uzinat ushtarake, hekurudha, drurët e pyjet e parqeve publike, madje edhe bunkerët nëpër male e plazhe, për t’u nxjerrë hekurat...

Megavjedhjet kanë zhvlerësuar vjedhjet e vogla, edhe pse këto përdoren shpesh nga propaganda zyrtare për të treguar e “provuar” se shteti ende ka polici dhe “gjykata të pavarura”. Ndoshta ngaqë këto quhen “vjedhje të vogla” mbyllen sytë, paçka se për shkak të pusetave të vjedhura janë disa qindra ata qytetarë që kanë thyer ose kokën, ose këmbët, hajdutët e pusetave nuk kapen...Gjithsesi kemi dëgjuar të arrestohen ata që transportojnë drogë, por nuk kemi dëgjuar kurrë të ndërhyhet në kryeqytetin ballkanik e ndoshta edhe evropian të drogës, në Lazarat. Përse? Sepse ky fshat i mençur, ka ditur të lidhë drogën me politikën, ashtu si kanë vepruar vitet e fundit jo pak biznesmenë të dyshimtë, të cilët bënë të pamundurën të transformohen në deputetë për të përfituar imunitet e tahma të pakontrolluar...Kultura e vjedhjes e ka burimin nga zyrat e institucioneve, bordeve dhe këshillave, ku shefi i madh nuk hedh firmë, por merr copën e madhe nga nëpunësit e vegjël, të cilët pranojnë të firmosin kundër ligjit, mjaft që hanë përditë, si miu i hambarit.
Pas disa operacioneve të suksesshme të policisë është arrestuar ditët e fundit edhe ndonjë bandë që vjedh xhepat në stacionet e autobusëve, si p.sh ata të linjës së Ali Demit, ata që vjedhin makina, por nuk kemi dëgjuar kurrë të kapen ata zyrtarë të lartë që bëhen miliarderë nëpërmjet fjalës magjike “tender”, duke përvetësuar e shpërdoruar miliona...Sepse “Lazarati” i vërtetë në fakt gjendet në Tiranë, nëpër ministria e në Kryeministri, në Kuvend e nëpër partira, në polici e në gjykata, duke u bërë moral e model i vetëm i suksesit e mirëqenies për mbarë shoqërinë.

Hë-për-hë nuk ka hetim, prokurori dhe KLSH që të zbulojë rrënjët e vjedhjes nga lart...Ka ndryshuar koncepti i hajdutit. Ndryshoi kodi penal për dhunën ndaj gruas , por situata dramatike nuk u përmirësua pas forcimit të dënimit, se vrasjet e grave dhe dhuna në familje, përkundrazi u shtuan, si për inat!...Kështu edhe vjedhjet nuk mund të pakësohen vetëm duke forcuar e ndryshuar kodin penal, ndëshkueshmërinë, sa kohë “peshku mbetet i qelbur te koka”...Nëse nuk dëmtohet ai që vjedh miliona në vend të tij dënimin e ha ai që vjedh për një kothere bukë! Nëse ka ecur ndonjë gjë përpara, kjo, padyshim është kultura e hajdutërisë. Sot nuk është turp të jesh e të quhesh hajdut; kush nuk di të vjedhë, nuk quhet as i ndershëm, as i zoti e as i dobishëm për familjen dhe veçanërisht partinë! Tani nuk ka shqiptar që nuk e di se sa më shumë të vjedhësh, aq më i nderuar e i fuqishëm je. Dhe më i lirë!

Mund të vjedhësh detin, ajrin, katet e sipërme të pallateve, kështjellat, plazhet, qetësinë publike, pyjet, ilaçet, ushqimin, lirinë, të drejtat...Pronën e tjetrit mund ta regjistrosh në emrin tënd dhe...dhe të mos guxojë kush të të akuzojë për hajdut, përkundrazi! Sigurisht po të kesh një post të lartë partiak! Kultura e vjedhjes aktualisht është tepër e vështirë të shkulet me reforma ligjore, me ashpërsim e profesionalizim të organeve të policisë e të Drejtësisë, nëse nuk jepet shembulli i ndëshkimit nga lart poshtë, duke krijuar një moral të ri, ku të gjithë qytetarët, që nga Presidenti, kryeministri, kryetarët e partive e deri te qytetari që mbledh kanoçe nëpër kazanët e plehrave, të ndjehen e të jenë realisht të barabartë para Ligjit.

Nuk na lipsen vetëm reforma juridike e administrative, por asish reformash që ta nxjerrin vjedhjen nga biznesi, nga zyrat e shtetit, që hajdutëria të mos quhet nder e lavdi, që nëpunësi të mos mendojë si e si të vjedhë me “duar të pastra” që të mos kapet, por si e si të shërbejë...Pandëshkueshmëria e ka çimentuar e shenjtëruar kulturën e vjedhjes. Falë suksesit në hajdutëri këta nëpunës të lartë janë të nderuar e të respektuar, e tani quhen VIP-a, presidentë bordesh, kompanish dhe OJF-sh, kryetarë partish, bashkish e komunash, të pajisur me disa diploma, me tituj shkencorë, me Dr e Pr para emrit, me koleksione pikturash, biblioteka, pishina private, makina me xhama të zinj, prona të tundshme e të patundshme, vishen firmato, fëmijët e tyre studiojnë jashtë, dhe, natyrisht, dinë edhe ca fjalë anglisht për të komunikuar me ndërkombëtarët...Këta vlerësohen si më të kulturuar, elitarë, më të aftë, më të mençur e të nderuar, rrjedhimisht, edhe më të suksesshmit e shoqërisë.

Ky është modeli moral i suksesit të vërtetë që i ofrohet jo vetëm rinisë, por edhe zyrtarëve të të gjitha niveleve, madje edhe pensionistëve, artistëve, pse jo edhe ish ushtarakëve! Për këta zyrtarë “të talentuar” për vjedhje të gjithë ne tani themi: Ky? Ah, po, ky, është burrë i zoti!...Ku ishte dje e ku është sot! ...Mjerë’ kush është i detyruar të vjedhë pak, sa për bukën e gojës!
***
Askush nga ne nuk dyshon që klima e hajdutërisë jo vetëm është bërë legale, duke sunduar e vënë nën thundër shoqërinë, duke e tjetërsuar kuptimin e moralit, por edhe duke e djerrur besimin te demokracia dhe sistemi i saj. Sa më sipër janë konstatime, të cilat i njeh dhe i vuan përditë, kushdo ndër ne. Problemi është: Si mund të dilet nga ky rrënim moral?

Nëse shembulli nuk jepet nga lart poshtë, jo vetëm i ndëshkimit, por edhe i përkushtimit, gjithçka tjetër, n’daç edhe përforcimet e ligjeve kanë për të mbetur fjalë, vetëm dhe vetëm fjalë! Dmth një ndryshim i ngjyrës dhe i fasadës së propagandës!

Reforma që na lipset e që do të jetë pënjimend e dobishme do të jetë ajo që mund të çlirojë individin dhe shoqërinë nga kultura e hajdutërisë, nga bindja se “vjedhja nuk është turp”, nga njolla e një populli që, për shkak të varfërisë, anarkisë dhe papunësisë së tejzgjatur kujton se mund të mbijetoj, duke vjedhur jo vetëm veten, njëri-tjetrin, natyrën dhe pronën publike, por edhe kohën e perspektivën!...Në këto kushte të vështira ne na lipset të ngremë një moral që pronën publike, pronën e tjetrit do ta quajë po aq të shenjtë sa pronën vetjake, që interesi i komunitetit të jetë i barasvlershëm me interesin e familjes, që shteti të mos quhet armik, po mbrojtës i pazëvendësueshëm i harmonisë dhe i bashkëjetesës.
Kjo është pritshmëria e qytetarëve të sotëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›