Interesat popullore, detyra më kombëtare që kërkon atdheu sot
Nga Astrit KOSTURI*
Sërish po na vijnë zgjedhjet parlamentare dhe më tutje ato lokale. Sërish do dëgjojmë dhe çfarë nuk do na dëgjojnë veshët…! Ato ditë e ato muaj, do na bëjnë me punë e biznese, me rrugë e ura, me kanalizime për qelbësirëllëqet e tyre, do shkojmë në Evropë siç shkohet tek nëna, do harbohemi nëpër valët dixhitale dhe çfarë nuk do na premtojnë!!… Gjithçka do thonë… por, asgjë për të pabërat e tyre dhe bëmat antishqiptare në gjithë këto vite. As e çojnë nëpër mend, që të kthejnë kokën nga gjithë ato budallëqe të bëra në këto 22 vjet, apo të vrasin mendjen se kush na zhveshi e kush na zbathi, kush na la në diell e në këtë spirale të pafund problemesh e me shpirt të përmbysur kokëposhtë për gjithë këto vite.
Me gërshërët e ligjit në dorë, me shpata e heshta të mprehura dhe me duar të pastra pas mbulimit e fshehjes së pisllëkut të tyre, do të shfaqen fshatrave e qyteteve kudo, ata që ia kanë ndjerë lezetin pushtetit, për gjoja luftën me tolerancë zero kundër baronëve që grabisin djersën dhe gjakun e shqiptarëve… dhe realisht, asgjë për hajër. Asgjë për mbrapshtinë e këtij sistemi të montuar kaq djallëzisht, asgjë për rrënjët që gjenerojnë papushim, ekzema e depresion masiv. Në këto festat e tyre për mbledhje votash, do na shpalosen si gjithnjë sllogane dhe gjetje poetike, ngjyra përzhitëse që të hutojnë dhe të ndjellin dhunshëm psikologjikisht, nëpër shtigje irreale.
Të lumtur janë ata të paktë, që nuk e dinë se rrënjët e këtij shteti janë në ajër, ose më mirë me thënë në baltë e llucë korrupsioni, kontrabandë, krim e gënjeshtra, mashtrim dhe në gjithë aliazhet e pista të shoqërisë së konsumit dhe shumë pak, madje aspak pastërti e siguri, që i duhen themelit të një ndërtese për të qëndruar në këmbë.
Vjen një moment dhe të gjithë i mbajnë shpresat tek premtimet e reformat, tek programet e platformat ndryshe që shpalosin me muzikë e aheng, që mund e duhet të bëhen në fakt, por kjo është një shpresë e kotë, përderisa rrënjët e gjithë asaj makinerie ushqehen vetëm nga paraja dhe asgjë nga moralja e ideali i shoqërisë. Në kushte të tilla, edhe sikur këto reforma që shpallen e reklamohen, të realizohen të plota e pa hile nga forcat politike në drejtim, nuk do të munden ta bëjnë ndërtesën shtetërore të qëndrojë si duhet në themelet e veta. Aq më pak do të ndodhë kjo, kur këta reformistë e njerëz të ndryshimit janë pikërisht ato forca politike, që gjithçka në fjalë e kanë ngritur vetë dhe me qëllim, mbi themele korrupsioni e krimi, nga ku kanë patur e do të kenë mundësi të realizojnë objektivat e dallaveres së tyre, pa të cilat ato do të shpërbëheshin si subjekte politike. Tashmë jemi bërë shumë, që mendojmë se shkaktarët e vërtetë të mjerimit shpirtëror dhe ekonomik nuk janë budallenj, as edhe të paaftë profesionalisht a mendërisht, apo se, ata nuk marrin vesh nga zanati i tyre! Ata e njohin shumë mirë zanatin dhe misionin e tyre prej oktapodi, për të shfrytëzuar e përvehtësuar pasuritë, që i përkasin popullit. Ajo pse pretendojmë, se jemi ndryshe dhe që na diferencon prej tyre nuk është pra, se ne dimë e ata nuk dinë, por për faktin se mbrojmë interesa të kundërta: Ata mbrojnë interesat e Klanit Grabitës, kurse ne mbrojmë interesat tona si popull!
Qeveritarët “tanë” dhe makutëria e huaj, janë bërë miq, për shkak të pasurisë shqiptare e kombëtare, që kanë grabitur. Por kur nis të reagojnë të munduarit dhe njerëzit e thjeshtë në përgjithësi, fillon tallja e nënçmimi, përqeshja e shpërfillja, jo vetëm prej pushtetit, por edhe nga radhët e tyre, nisin paragjykimet, nga ku fillojnë mosbesimi e situatat qesharake. Kjo për faktin, se jo rrallë, gjatë gjithë historisë njerëzore, heronj janë cilësuar ata që kanë dhunuar e masakruar popujt, ndërsa rezistenca dhe etja për liri, pavarësi e barazi janë ndëshkuar nga të gjitha regjimet, pavarësisht nga format e tyre shtetërore… të variantit diktaturë, apo demokraci. Dy dekada kapërcyen nga dita kur në vendin tonë u vendos sistemi i ekonomisë së tregut, alla kapitalizmi popullor, i cili shpalli objektivin kryesor: Ndërtimin e shtetit ligjor, shtetit demokratik të së drejtës. Po cili ishte rezultati?!
Jo vetëm shteti ligjor e i së drejtës nuk është ngritur, por akoma më keq, është deformuar në mendjet e qytetarëve kuptimi për shtetin dhe qeverisjen, duke e konsideruar këtë të fundit jo një institucion të domosdoshëm, që rregullon marrëdhëniet e shtetasve, por një kundërshtar e armik të këtyre të fundit. Autorët e këtij sistemi, janë politikano-pushtetarët tanë borgjezë të mbështetur nga mjeshtrit ndërkombëtarë, të cilët po eksperimentojnë tek ne, atë që u ka dështuar dhe po u dështon çdo ditë në vendet e tyre. Me reforma gjysmake e hileqare si ajo e Kodit Zgjedhor; me heqje, imunitetesh kur nuk të hyn më në punë, apo duke e përdorur atë për gjueti shtrigash; me ndryshim ligjesh e nenesh të Kushtetutës sa herë nuk u del hesapi, duke e shndërruar në një rreckë, që vetëm Kushtetutë nuk mund të quhet. Me lojëra ujdish e kompromisesh, me pazare e dallavera, si ato me votime tri të pestat, katër të pestat apo dhe pesë të pestat etj. etj., nuk mund të ngrihet kurrsesi ndërtesa e shtetit ligjor. Me arnime e retushe kjo ndërtesë nuk mban më, jo vetëm nuk bëhet demokratike, por ka mundësi të kthehet në një ndërtesë fashiste, pa asnjë dallim nga ajo e Fashios. Dhe siç po duken bathët, kjo e fundit do të ngjasë. Shenjat i ka dhënë me kohë, që me Gërdecin, me 21 Janarin e me veprimet ekstreme që shteti i vetëquajtur demokratik ka praktikuar e praktikon përditë në marrëdhënie me qytetarin, me të varfërin pa mbështetje, me popullin e braktisur.
Prandaj, konkluzioni është më se i qartë, se ky regjim duhet çmontuar në themel, për të vendosur Kushtetutën e popullit, të hartuar thjeshtë dhe saktë, me shtyllat bazë të sistemit që dëshiron populli, të shtetit që i duhet shoqërisë shqiptare, për të organizuar një qeverisje të drejtë dhe që i përgjigjet vullnetit të popullit, duke qenë i kontrollueshëm në çdo kohë prej tij.
Thirrjet e çirrjet e shpurës politike aktuale që startoi në vitet 90, për të bërë shtetin demokratik, ligjor e për qytetarin, u dukën tashmë se ishin përpjekjet e dëshpërimit të tyre, pasi i tradhtuan interesat popullore, pasi gjetën rrugën e shkurtër që i çonte tek xhepi dhe interesat e tyre. Dhe krejtësisht mbrapsh, me këtë instrument të tyre dhe vetëm për qëllimet e oborrit të tyre, kërkojnë të bëjnë sistemin. Ky nuk është as ngatërrim padashje dhe as lajthitja e tyre, por detyra që vjen prej qëllimeve dhe planeve të tyre të mbrapshta, të mbështetura nga miqtë e Shqipërisë.
Kush merr vesh sadopak nga politika në kuptimin e vërtetë të fjalës, e di shumë mirë, se tjetër është shteti, dhe tjetër sistemi shoqëror; dhe se sistemi pjell shtetin e jo shteti sistemin. Si të jetë sistemi shoqëror, natyra dhe ligjet e tij, ashtu do të jetë edhe shteti, që ndërtohet nga vetë sistemi, sipas modelit dhe mënyrës që i duhet, që tí shërbejë në çdo kohë e në çdo rrethanë. Si mund të ketë shtet demokratik, shtet të së drejtës në një sistem të padrejtë, siç është sistemi aktual, pavarësisht nga demagogjia dhe ngjyrat e bukura që ka veshur dhe ndërron në çdo stinë?!… Atë që politika duhet ta kishte thënë prej kohësh, tashmë e thotë populli i mbetur në udhëkryqin e trishtimit: ky është sistemi i borgjezisë së komanduar prej njerëzve të dyshimtë, sistemi i zhvillimit të pabarabartë, sistemi i shfrytëzimit të njeriut prej njeriut mashtrues, sekser, njeriut me pushtet, pasuri e favore, sistemi i padrejtësisë shoqërore dhe i gënjeshtrave pafund, është sistemi i konflikteve dhe i luftrave të armatosura midis vendeve e popujve, e shumë e shumë të zezave, tashmë të provuara gjatë më se dy shekujve me radhë. Veshja që i bëhet këtij s