E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në emër të Atit, Birit e Shën Komunikimit

Nga Sokol Paja

Thelbi i njeriut dhe shoqërisë është komunikimi. Dhuna dhe humbja përgjegjësisë janë shëmtimi më i madh i komunikimit dhe njeriut po ashtu. Katër histori frustuese më bëjnë të mendoj se komunikimi në shoqërinë shqiptare është në krizë të thellë. Mbrëmë, një fëmijë i lutej mamasë së tij: Të lutem me jep 500 lek se dua të blej një akullore. Brutalisht e ëma ia kthen: Nëse kërkon të blesh gjë, jo vetëm që sdo të blej asgjë, por edhe pa darkë do ngelesh. Kemi dal në xhiro, jo për të ngrënë. Ngele duke ngrënë si kafshët, – ëmbëlsisht dhe me dashuri amësore ia ktheu ajo. Po atë ditë, në linjën e transportit publik, një fëmijë i lutej së ëmës tia lëshonte vendin në autobus se i pëlqente të rrinte afër xhamit, te karrigia blu, afër shoferit. E ëma në mënyrë të prerë ia kthen: Qëndro aty në tokë, kopil, të kam mbajt 9 muaj në bark e sot dashke të të mbaj në prehër. Je mirë aty. Qepe gojën mos bëzaj më se e di mirë çtë pret te shpija,- paralajmëroi gruaja. Tre mesoburra si tre shokët e Remarkut, ishin nisur diku larg, nga veshja dhe diskutimi, dukeshin për kalçeto. Njëri nga ata mbante për dore edhe një fëmijë. Befas ndërsa ata bisedonin, kalamani i njërit prej i tre shokëve kur sheh shokët e tij, tenton dhe shkëputet nga dora e të atit. Befas ai e kap rrëmbyeshëm alla Renea, ndërsa ai fëmija i shkretë gërthiste e bërtiste pambarimisht, i ati vazhdonte rrugën drejtë me shokët pa pyetur për plaçkën që mbante në dorë. Historia e fundit është e vjetër në kohë, por e re në sjellje. Ndërsa me shokët ndiqnim Evropianin e futbollit, përveç të tjerash, kokoshkat ishin aperitivi ynë i përnatshëm. Në sofrën tonë bujare gjeje: kriko, qofte, kokoshka, fara, patatina, çibukë etj, etj, asortimente bashkëshoqëruese të ndeshjeve, çuna hesapi. Befas te tavolina jonë vjen një vajzë e vogël diku 4 vjeçe. I japim kokoshka dhe çfarë deshi të merrte, përzemërsisht. Na tregoi se pëlqente Messin si futbollist dhe pyeti kur luan ekipi i tij. Pas dy vitesh i thamë, atëherë do jesh më e rritur dhe do mbash mend më shumë. U largua dhe shkoi te tavolina ngjitur. Aty kishte familjarët e saj. Gjyqi politik ndaj saj filloi menjëherë. Çfarë ke bërë? Ku i ke marrë? Pse i ke marrë? Kush ti dha? Pse i more? Stë dalin këto që të kemi blerë ne? turp të të vijë, do ti tregojmë babit, stë vjen zor? Po pse e masakroni vajzën o zonjë i thashë? Rri urtë aty ti, stë duhet gjë ty, di unë çbëj me fëmijën tim. E paç me jetë të gjatë dhe ta ruajt zoti por po e trajton sikur të kishte vjedhur Kooperativën Socialiste. Ne ia dhamë me shumë dëshirë. Mos e dhunoni psikologjikisht fëmijën. Fëmija aty ku ka sytë, aty ka shpirtin. Mos hyni në gjynah. Ik ore pijanec, rrugaç, shih punën tënde atë bëj, dhe në shenjë nervozizmi ndaj meje ia dha disa pëllëmbë të mira fëmijës së saj. Sot kudo ku shkon, në çdo ambient, komunikimi është shëmtuar aq shumë. Në një kohë dhimbjesh e krizash, një fjalë e mirë, e ëmbël një buzëqeshje do të zvogëlonte sigurisht, kolapsin social e nervor të shoqërisë. Në bibliotekë, në institucione publike apo private, në lokale, në mjete të shërbimit publik, në rrugë, kudo komunikohet vrazhdë dhe në mënyrën më të egër dhe të shëmtuar të mundshme. Sipas teorive psikologjike tendenca e çdo njeriut është tia shkarkojë gjithçka negative, shqetësuese, mbytëse, tjetrit, më të voglit, atij që e zotëron apo mbisundon. Përjetimi i krizës ekonomike, politike e morale në Shqipëri është shumë më i egër se vendet e tjera si Greqia apo Italia etj. Një sistem shoqëror që ska vlera. Jemi shoqëri akoma në tranzicion të vazhdueshëm të shpejtë, të pandalshëm, të rrëmbyeshëm dhe sigurisht shkatërrues. Njerëzit kalojnë dhe mbingarkohen me tension e frustrim. Në çdo moment është e nevojshme të shfrysh diku, sa më afër, sa më fort, sa më thellë Shoqëria shqiptare është përfshirë në një zullum katastrofik. Rënia e të ardhurave për frymë, rritja e papunësisë, mos pasja e një punë dhe frika e humbjes së punës, mungesa e të ardhurave, pamundësia e të jetuarit si koha, falimentimi i bizneseve, mungesa e likuiditeteve, rënia e dërgesave të emigranteve, rënia e fuqisë blerëse, shumëfishimi i të diplomuarve që kërkojnë një punë, shtimi i universiteteve private që kanë minuar tregun e punës, rënia e investimeve publike, borxhi i qeverisë ndaj firmave të ndërtimit, zhytja në borxhe e biznese dhe individëve, teatri politik pengmarrës disa vjeçar, rritja e pasigurisë publike, rritja e korrupsionit, mungesa e legalizimeve në prona të luajtshme, të paluajtshme, të trashëguara, rritja e borxhit publik, inflacioni i lartë gjithnjë në rritje, perspektiva gjithnjë e zbehtë të bën të mendosh siç thoshte Migjeni: Në vendin tonë kudo valojnë flamujt e një melankolie të trishtueshme……dhe askush s’mund të thotë se këtu rron një popull që ndërton diçka të re. Pas gjithë kësaj më mbetet edhe një uratë: O Zot na ruaj mendjen dhe sipas religjionit them uratën ashtu siç Ai na mësoi: Në emër të Atit, të Birit dhe Shën Komunikimit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›