E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interesi i kredive, trendi në ulje

Bankat në Shqipëri kanë siguruar rezultate pozitive vitin që shkoi, pavarësisht periudhës post-krizë në të cilën po kalon tregu financiar. “Tirana Bank” e mbylli vitin 2010 me më shumë se 12.1 milionë euro fitim, ndërkohë që e njëjta situatë pritet edhe këtë vit. Drejtori i Tirana Bank, Dimitris Santixis, në një intervistë për gazetën “MAPO” tha se këtë vit do të synohet me një ulje të mëtejshme të interesave të kredive, duke pohuar se “Tirana Bank” ka reflektuar edhe për shqetësimin e Kryeministrit, duke ulur çmimet e komisioneve për disa shërbime. Santixis tha se “Tirana Bank” ka fonde të mjaftueshme për kreditim, por kërkesa për kredi është e ulët.

Sapo është mbyllur një vit financiar edhe për bankën tuaj. Ju lutem, a mund të na thoni bilancin në vija të përgjithshme?

Për ne ishte një vit shumë i mirë. Ishte një vit fitimi rekord me 12.1 milionë euro dhe me rritjen më të madhe të nivelit të depozitave (22.4%), një vit i suksesshëm edhe në shtrirjen në fushën e biznesit të sektorit publik dhe një vit i zgjerimit të rrjetit të degëve me 9 degë të reja, duke u kthyer në bankën e tretë në vend për nga numri i degëve. Pra në 2010, ne krijuam një bankë të fortë e të shëndetshme.

Tirana Bank në Shqipëri e mbylli vitin më fitim, cili ishte shërbimi që kontribuoi më së shumti në të ardhurat dhe fitimin e bankës tuaj?

Në vitin 2010, ne rritëm në mënyrë drastike volumin e biznesit tonë dhe patëm një shtrirje të suksesshme në Institucionet Publike. Shumë bashki, spitale, apo institucione shtetërore, u bënë klientët tanë, pasi ne iu ofrojmë produktin më të mirë për pagat në treg dhe një cilësi shumë të lartë të shërbimit personal të klientëve tanë. Në vijimësi, ne ishim shumë të suksesshëm në kreditë e këqija dhe aktualisht kemi nivelin më të ulët në raport me kreditë e këqija, ndërmjet gjithë bankave të tjera. Ky fakt na lejon ne të kemi provigjione shumë normale. Ne gjithashtu i kemi paraprirë humbjet, duke krijuar marrëdhënie të reja. Të gjitha këto marrëdhënie kanë sjellë përfitime për bankën. Përfundimisht ne e menaxhuam këtë bankë në një mënyrë më “Nikoqire” dhe shpenzimet operacionale janë ulur, ndërsa kemi hapur 9 degë të reja.

Sistemi bankar në përgjithësi vitin që lamë pas kaloi një periudhë jo të favorshme, në lidhje me kreditimin e ekonomisë. Cili është pozicioni i bankës tuaj në këtë drejtim?

Ne duam të rrisim kreditimin, por duhet të kemi edhe kërkesën e duhur nga ana e kompanive dhe projekte të mira për financim. Fatkeqësisht, nga gjendja aktuale e ekonomisë, kërkesa për projekte të mira është e ulët. Gjithashtu kreditimi është ngushtësisht i lidhur edhe me sjelljen e biznesmenëve shqiptarë, për t’u përballur me problemet. Ka fatkeqësisht biznesmenë që nuk e kuptojnë se kohët kanë ndryshuar dhe se ata duhet të kujdesen për të mbajtur marrëdhëniet e tyre me bankat. Shqipëria ka një sistem modern, i cili regjistron çdo lloj problemi që kompanitë kanë me bankat. Në këtë mënyrë, çdo gjë është transparente. Sjellje të gabuara dhe vonesat në sistemin bankar janë të njohura dhe këta biznesmenë nuk e kuptojnë se në këtë mënyrë shkatërrojnë marrëdhëniet afatgjata, nëpërmjet këtyre sjelljeve të këqija këto kohë, duke i detyruar bankat të marrin masa ligjore kundrejt tyre.

Ku do të fokusohet aktiviteti i bankës tuaj në këtë vit, për sa i përket kreditimit, çfarë pjese e tregut synohet

Janë shumë të pakta sektorët për të cilët nuk jemi të interesuar. Ne jemi fleksibël për të diskutuar thuajse çdo ide të mirë, që do të jetë e mirë edhe për ekonominë shqiptare gjithashtu.

Do të ishim të interesuar të dinim një parashikim se si do të ecnin normat e interesit të bankës tuaj këtë vit?

Baza e filozofisë sonë është ndërtimi i marrëdhënieve fitimprurëse, dhe të mos shkojmë pas zotërimit të tregut me çdo kusht. Në këtë aspekt, politika jonë e normës së interesit do të jetë ulja e saj për depozitat dhe kredinë, por me kujdes dhe ngadalë.

Sa do të ndikohen normat e interesit nga rrisku politik dhe ekonomik në Shqipëri dhe sa nga faktorë të tjerë.

Ne besojmë se viti 2011 do të jetë një tjetër vit i mirë për ne, në çdo aspekt. Ne kemi riorganizuar bankën dhe kemi fituar statusin e vetëfinancimit, prandaj jemi të zotët të përballojmë ndryshimet dhe sfidat, për të mbështetur klientët dhe miqtë tanë. Klientët tanë do të gjejnë në bankën tonë një partner të gatshëm, t’i mbështesë ata në planet e tyre me një sjellje të respektueshme e miqësore dhe me fuqinë për të mbajtur premtimet tona. Në veçanti, ne iu kemi dhënë dorën të gjithë punonjësve të sektorit publik, që kanë pasur marrëdhënie me një bankë tjetër, kryesisht thjesht për hir të traditës, duke iu ofruar atyre kushte më të mira dhe një trajtim më dinjitoz. Punonjësit e Ministrive apo institucioneve qeveritare kanë një arsye të mirë të jenë me “Tirana Bank” dhe unë shpresoj se tranzicioni i tyre në bankën tonë do të jetë komod, pasi ne mund t’ju shërbejmë atyre shumë më mirë se të tjerët në terma dhe kushte.

Pak ditë më parë, Kryeministri ka vlerësuar si shumë të larta komisionet dhe interesat në përgjithësi të bankave, duke lajmëruar edhe një mënyrë taskimi të re ndaj bankave. Në këndvështrimin e bankës tuaj, si është realiteti?

Kur Kryeministri i vendit mendon se disa komisione janë të larta, ne nuk mund ta injorojmë këtë gjë, me gjithë respektin ndaj tij. Nga ana tjetër, ne nuk mund të flasim për komisionet e bankave të tjera, pasi secila prej tyre ka politikat e veta. Gjithsesi, ne në “Tirana Bank” i kemi rishikuar strukturat për komisionet e disa produkteve dhe i kemi bërë reduktime. Mund të them që bankat duhen gjykuar në mënyrë të pavarur në këtë drejtim, por dhe në pika të tjera.

Ekspertët parashikojnë një rritje më të madhe ekonomike këtë vit në Shqipëri, cila do të jetë pjesa e sistemit bankar në këtë rritje?

Bankat asistojnë në rritjen e një vendi, nëpërmjet një shpërndarjeje të kujdesshme të burimeve. Në “Tirana Bank”, ne e ndjejmë që jemi pjesë e këtij vendi, ne përkujdesemi dhe do të mbështesim çdo projekt të mirë që na vjen nga biznesmenë të besueshëm. Ne kemi të gjithë fuqinë dhe burimet për të vlerësuar me korrektesë, duke iu siguruar fonde për bizneset e duhura dhe individët.

Shqipëria është në prag të formulimit të një modeli të ri ekonomik. Sipas këndvështrimit tuaj, në çfarë sektorësh duhet të mbështet ky model?

Ky model i ri ekonomik duhet bazuar në zëvendësimin e eksporteve, për një zhvillim të mëtejshëm të sektorit energjetik, zhvillimin e disa projekteve të agrikulturës, si dhe një plan turistik real dhe i detajuar. Gjithsesi, ky model i ri ekonomik do të kërkojë kohë. Tranzicioni drejt një modeli të ri ekonomik nuk është i lehtë. Kjo do të kërkojë edhe një ndryshim të mentalitetit nga ana e biznesmenëve për investime afatgjata dhe me largpamësi, të cilat mund të kenë një marzh fitimi pak më të ulët nga ç’ka qenë në të kaluarën. Unë jam optimist në këtë pikë.

Intervistoi Blerina Hoxha

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›