Bushati: 21 janari, një Krater në Ekonominë Vendase
Ervin Bushati, sekretar i ekonomisë në Partinë Socialiste, shpjegon për “MAPO”, se sa dhe si kanë ndikuar në ekonominë e vendit ngjarjet e 21 janarit. Bushati sqaron në një intervistë për gazetën se pasojat më të mëdha do t’I shkaktohen biznesit vendas dhe jo atij të huaj që ende nuk ka rdhur me investime strategjike në Shqipëri.
Si ka ndikuar sipas jush, demonstrata e 21 janarit në ekonominë shqiptare?
Ekzekutimet e 3 shqiptarëve, pa proces gjyqësor, në një vend ku nuk ekziston dënimi me vdekje, janë një tragjedi kombëtare dhe një precendent i rrezikshëm ligjor. Vullneti i qartë i pushtetit, për të mos dorëzuar e gjykuar ekzekutorët dhe urdhëruesit e këtij krimi shtetëror, rrëzuan shtetin ligjor në të gjithë shkallët institucionale. E vërteta se qeveria është gati të vrasë për të mbrojtur pushtetin e saj, tashmë ilegjitim, do të ketë efekte traumatizuese në shoqëri, politikë dhe në ekonominë e Shqipërisë. Shteti sot është zëvendësuar me pushtetin, ndërsa kuptimi i tij si garanti klasik në shoqëri, ka rënë bashkë me djegien e urave institucionale dhe ligjore mes Qeverisë-Presidencës-Prokurorisë-Policisë.
Kush do ta pësojë më shumë efektin e ngjarjeve të 21 janarit; investitorët vendas apo të huaj?
Pa rregulla të qarta loje dhe pa një garant ligjor - asnjë operator ekonomik kapitalist nuk mund të jetojë normalisht. Ky kaos ligjor dhe shoqëror, ndikimin më të madh do ta ketë në ekonominë vendase - para se të merremi me investimet e huaja. Biznesi vendas do të jetë viktima e vërtetë, që ka se çfarë të humbasë nga ky "Putsch" institucional, që ka inicuar Berisha. Të huajt që akoma nuk kanë ardhur, nuk kanë humbur asgjë. Në mënyrë miope dhe iluzive, ne si politikanë merremi më shumë sa i takon me investimeve të huaja për peshën reale që ato do të zënë në ekonominë tonë: Ne jemi të fundit në rajon për investimet e huaja direkte (FDI) për frymë dhe nuk kemi asnjë investitor strategjik real, që të sjellë teknologjinë e duhur në vend, për një zhvillim të qëndrueshëm dhe real për të ardhmen. Biznesi shqiptar (vendas) ka marrë peshën kryesore të zhvillimit të vendit në këtë tranzicion ekonomik pa fund, dhe është koha që të njihet dhe të respektohet si zemra e ekonomisë dhe sipërmarrjes në Shqipëri. Është vetëm kapitali shqiptar, ai që krijon vlera dhe mbush arkën e shtetit, të tjerët vetëm marrin. Ndaj; para se të bëhemi merak për investitorët e huaj prospektivë, që janë rehat në botën e tyre, me ligje dhe ekonomi të stabilizuar, është më e drejtë të shqetësohemi për të "sëmurin e bulevardit" që po infekton ekonominë tonë vendase dhe kombëtare. Është koha të ruajmë "vezën" shqiptare sot, para "pulës" së huaj që mund të vijë mot.
Sa e ka prekur kriza ekonomike vendin?
Çdo qytetar dëshmon sot rënie të fuqisë blerëse, nëpërmjet uljes të buxhetit real në shtëpitë shqiptare dhe ngritje të çmimeve në mallrat e konsumit e në shërbime baze ndaj familjeve. Rënia në konsumin familjar vjen për shkak të kontraktimit të ekonomisë, investimeve të ndërprera, fondeve publike të shpërdoruara, uljes së kreditimit nga bankat, rënies së dërgesave të emigrantëve dhe pasigurisë për zhvlerësimin e lekut dhe një të ardhme më të turbullt nesër. Demografia është një avantazh krahasues, primari në vizionin tim, që duhet të ishte shfrytëzuar dhe kapitalizuar nga shoqëria dhe ekonomia jonë. Në vendet e tjera në Europë, njerëzit e punës përkrahen dhe inkurajohen. Në Shqipëri ata dekurajohen dhe detyrohen të ikin, duke shkaktuar një largim në masë dhe një hemorragji të rëndë në fuqi dhe në mendje.
Cili do të ishte, sipas jush, modeli i duhur ekonomik për vendin tonë?
Politikat ekonomike të tranzicionit, përfundimisht nuk e bënë detyrën dhe misionin e tyre: të hapin ekonominë, për të integruar vendin në kontekstin europian dhe ndërkombëtar. Ekonomia jonë ka një karakter të mbyllur, në pritje dhe në reagim të faktorëve e situatës së jashtme. Shteti është problemi kryesor i ekonomisë shqiptare - që nga rënia e diktaturës dhe rendja e menjëhershme drejt një ekonomie të lirë tregu. Rendja e qeverisë pas taktikave miope populiste, ka lënë vendin tonë pa vizionin e një strategjie definitive zhvillimi ekonomik. Ekonomia sot është e mbyllur brenda zinxhirit të një ‘rrethi vicioz’, që ka farkëtuar pushteti që qeveris Shqipërinë. Pushteti ka mbyllur ekonominë reale në një rreth vicioz abuzimi, përvetësimi dhe korrupsioni. Sektori privat nuk është në gjendje të prodhojë apo të eksportojë në mënyrë të përshtatshme në tregje. Ekonomia informale, e bën të pamundur thithjen e një numri më të madh investimesh prodhuese me prejardhje nga jashtë. Shoqëria dhe ekonomia shqiptare janë mbyllur e shteruar, nën kapjen e një pushteti parazit. Me paaftësinë dhe abuzimin qeverisës, pushteti është kundra interesave të qytetarëve të këtij vendi.
Intervistoi: Sabina Veizaj