Interesim i shtuar i Brukselit për marrëveshje

Vizita e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, në Prishtinë e Beograd, ka qartësuar edhe më shumë qëndrimet e palëve karshi zgjidhjes së çështjeve të hapura që kanë mes tyre.
Meqenëse baronesha Ashton gjatë turneut të shkurtër caktoi muajin prill si afat për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për disa njohës të diplomacisë dhe negocimit, është shenjë se rezultat do të ketë. Por, asgjë nuk është finale përderisa negociatat po vazhdojnë, shkruan “Evropa e Lirë”.
Valon Murtezaj, profesor në Institutin e Ekonomive Shkencore dhe Menaxhmentit (IESIG) në Paris, sqaron se vizita e Ashtonit duhet parë si fazë e parafundit e bisedimeve mes dy vendeve, nga e cila pritet të nxirret një formulë në prag të takimit të ri ndërmjet kryeministrave, atij të Kosovës dhe të Serbisë, më 20 mars në Bruksel.
“Natyrisht, asgjë nuk ka konkrete, apo siç thuhet në negocim, asgjë nuk është e kryer derisa të jetë e kryer. Kjo është ajo faza kur përfundimisht merren edhe pozicionet e të dy palëve, dhe supozoj që pastaj në versionet e tjera të dokumentit, i ofron si tekste potenciale të marrëveshjes”, thotë Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.
Profesori i diplomacisë dhe negocimit ndërkombëtar, sqaron se kryediplomatja evropiane në Prishtinë ka arritur rezultate, me gjithë polemikat e ngritura për më shumë presion, ndaj palës kosovare dhe asaj serbe.
“Konkretisht, në Prishtinë, ajo ka arritur rezultat që të marrë pozicionin e qartë të palës kosovare, ndërsa në Beograd, si duket nuk ka arritur që të marrë pozicionin e qartë të palëve, sepse kemi pasur edhe deklarata kontradiktore nga presidenti, po ashtu edhe kryeministri i Serbisë. Gjithsesi, ditët në vijim do të jenë përcaktuese për tekstin, të them ashtu, final apo parafinal të marrëveshjes”, vlerëson Murtezaj.
Në Beograd, ndërkaq, e pranojnë se vetë vizita e përfaqësueses së Lartë Evropiane, është shprehje e interesimit të shtuar të Brukselit për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Bosko Jaksic, analist i çështjeve të diplomacisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nuk e ka përshtypjen se gjatë vizitës së saj baronesha Ashton të ketë arritur diçka konkrete, as në Prishtinë dhe as në Beograd.
“Nëse Prishtina priste, që Catherine Ashton të vërtetojë të gjitha ato që Hashim Thaçi pret, atëherë ajo publikisht këtë nuk e ka bërë. Nëse Beogradi priste që Catherine Ashton të ushtrojë presion ndaj Prishtinës, lidhur me çështjen e Bashkësisë së komunave serbe, atëherë edhe kjo ka munguar. Prandaj, mendoj se ekziston një konfuzion. Mendoj se është edhe një neglizhencë dhe se gjërat ende duhet të sqarohen nga takimi i radhës më 20 mars”, shprehet Jaksic.
Mirëpo, të dy njohësit e diplomacisë, Murtezaj e Jaksic, vlerësojnë se të dy palët po afrohen, drejt një zgjidhjeje të pajtueshme, që do t’i linte ata të deklarojnë fitore.