Zvogëlohet numri i përfituesve të asistencës sociale në Kamenicë

Zyrtarë të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Kamenicës kanë bërë të ditur se Ministria e Punës po aplikon kritere të ashpra për rastet e përfitimit të asistencës sociale, dhe për pasojë një numri të madh familjesh, edhe pse me gjendje të rëndë sociale, nuk u po krijohen mundësitë për futje në lista të asistencë sociale.
Drejtori i Shëndetësisë, Fehmi Kastrati, ka bërë të ditur se në listat e asistencës sociale janë 600 qytetarë dhe ka edhe më shumë kërkesa, porse një numër i tyre është refuzuar shkaku i mospërmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Ministria e Punës, të cilat vlerësohen të jenë të ashpra.“Numri i kërkesave të qytetarëve për ndihmë sociale është më i madh. Vetëm gjatë 2012-s, sipas raportit vjetor të 2012-s të QPS-së, janë refuzuar 50 kërkesa, sepse kriteret e Ministrisë së Punës për të përfituar ndihmë sociale janë të ashpra“, ka thënë Kastrati. Ai ka shtuar se sipas raporteve të fundit të Qendrës së Punës Sociale në Kamenicë, në lista të asistencës sociale janë gjithsej 624 familje, sipas strukturës nacionale janë 491-familje shqiptare, 126-familje serbe dhe 7 familje rome, ose gjithsej 2404 anëtarë të familjeve.
“Pos rasteve që janë përfitues në skemat sociale, Komuna në shumë raste u ndihmon përmes ndihmave sociale, sidomos rasteve me sëmundje kronike dhe rasteve me varfëri të skajshme. Në bashkëpunim me Zyrën e Punës në Kamenicë, organizohen programe të punësimeve sezonale.
Ndërkohë ndër familje, të cilat nuk kanë përfituar asistencën sociale është edhe ajo e Hamdi Biqkut, ku kryefamiljari ka shprehur pakënaqësi të madhe ndaj Komunës, lidhur me vendimin për anulimin e kërkesës për asistencë. ”Jam me një familje 6- anëtarshe dhe kushti që më është kërkuar ta plotësoja ka qenë të kem një fëmijë nën moshën pesë vjeçe. Unë nuk kam se çka të punoj, nuk ka punë askund ndryshe nuk do ta kisha lejuar veten që familja ime të vinte në këtë gjendje”, ka thënë Biqku. Edhe Nyrtene Kastrati, familjes të së cilës i është refuzuar kërkesa për asistencë sociale, thotë t`i është bërë e padrejtë. ”Kam 6 fëmijë, burri nuk është i aftë për punë, deri tashti kemi marrë një ndihmë të vogël nga sociali tashti po na e ndërpresin”, është shprehur ajo./Indeksonline/