Interi bëhet i Tohir me 3 shtator

Pas misionit të fundit indonezian të Anxhelo Mario Moratit, tashmë gjithçka duket se është shumë më e qartë në lidhje me të ardhmen e skuadrës së Interit. Duket se Morati dhe Tohir kanë zgjidhur gjithçka për sa i përket borxheve dhe mbi të gjitha për sa i përket aseteve të skuadrës. Në këtë pikë, presidenti Masimo Morati mund të vazhdojë i qetë ditët e fundit të pushimeve, ndërkohë që nuk pritet as një rikthim i Erik Tohir në Milano.
Tashmë pritet vetëm që në datën 3 shtator, një ditë pas mbylljes së merkatos së verës, Interi të bëjë marrëveshjen më të rëndësishme në historinë e tij. Tohir do të blejë 66% të aksioneve të skuadrës së Interit, dhe do të paguajë plot 350 milionë euro. Në këtë mënyrë ai do të bëhet aksioneri më i madh i zikatërve, ndërkohë që Morati do të mbetet pjesë e bordit drejtues me 34% të aksioneve. Ndërkohë, ai që gartanton këtë operacion është djali i tij, Anxhelo Mario, i cili me shumë mundësi pritet të jetë edhe zv-presidenti ekzekutiv i Interit.
Ndërkohë, teksa shumë gjëra shkojnë drejt formalizimit, Erik Tohir dha “ok”-in e tij për blerjen e mesfushorit Taider, vetëm para dy ditësh nga skuadra zikaltër. Në këto momente mund të thuhet se merkato e Interit është e mbyllur. Eto mbetet një objektiv, më shumë një ëndërr. Sulmuesi nga Kameruni mund të vijë në Milano vetëm nëse pranon një reduktim të rëndësishëm të rrogës së tij./indeksonline/