Sela bojkoton Mbrëmjet Strugane të Poezisë, nuk respektohet gjuha shqipe

Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela do të bojkotojë festivalin ndërkombëtar të poezisë “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”.
Sela përmes një konference me gazetarët theksoi se arsyeja e bojkotit është mos respektimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Strugë nga ana e organizatorëve të festivalit, gjegjësisht Drejtorisë për Mbrëmjet Strugane të Poezisë.
“Do t`i bojkotojmë Mbrëmjet Strugane të Poezisë, për shkak se ne siç përkujdesemi që të funksionojë ligji në çdo segment, u takon edhe atyre që të përkujdesen edhe për përdorimin e gjuhëve në këtë rast. Mbrëmjet Strugane të Poezisë mbahen në Strugë dhe Struga është qytet që ka popullatë mbi 20 për qind që flet gjuhë tjetër nga gjuha maqedonase, kështu është me ligj, kurse këtu janë 60 për qind të popullatës shqiptare dhe në takimin që kam pasë me drejtorin e Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, kam kërkuar që në pjesën e hapjes dhe udhëheqjes së festivalit të përdoret gjuha shqipe krahas asaj maqedonase. Imagjinoni nuk ramë dakord për këtë gjë”, theksoi kryetari Sela.
Ai ka theksuar më tej se do të kërkoj përgjegjësi për shkak të mosrespektimit të gjuhës shqipe këtu në Strugë.
“Imagjinono që në një manifestim ku marrin pjesë poetë nga gjithë bota, ku flitet gati në të gjitha gjuhët e botës dhe nuk lejohet të flitet në gjuhën shqipe, në një qytet ku shumica janë shqiptar. Prandaj, ne nuk e përkrahëm, unë nuk do të marr pjesë as në hapje e as në mbyllje, por jam i gatshëm të pres delegacione dhe poet që duan individualisht të më takojnë, ndërsa me ata të clët nuk respektojnë gjuhën të cilën unë e flas nuk do të bashkëpunoj”, theksoi Sela.
Ai ka shtuar se në rast se nuk ka disponim dhe zgjidhje, mundet që të vendos që vitin e ardhshëm të mos lejohet mbajtja e këtij festivali tradicional.
“Këtë vit kështu, ndërsa vitin tjetër nëse nuk respektohet gjuha shqipe, edhe fizikisht nuk do të lejojmë që ky festival të mbahet në Strugë, nëqoftëse nuk respektohet vullneti i popullatës shumicë në Strugë. Është çështje dinjiteti dhe çështje respekti por edhe çështje e respektimit të Ligjit. Unë asnjëhere nuk kam thënë që ky ligj për përdorimin e gjuhës është i mjaftueshëm dhe i plotëson nevojat e qytetarëve, por ja edhe rasti konkret që edhe ky ligj gjysmak nuk respektohet”, theksoi kryetari i Strugës.
Ai ka nënvizuar se “pavarësisht nga praktikat e së kaluarës qoftë në nivel lokal apo qëndror, kur Struga është ndarë në blloqe, unë nuk do të lejoj që Struga të ndahet në blloqe, se a është gjuha shqipe zyrtare apo nuk është, ligji e lejon dhe prej momentit që kjo nuk bëhet këto Mbrëmje të Poezisë në Strugë do të bojkotohen”./Indeksonline/