E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi ende nën “shock”, por arrin të mundë Kievon

Interi ka mundur 2-0 Kievon, duke tentuar të fshijë nga kujtesa javën e tmerrshme, që përkoi me humbjet ndaj Milanit dhe Shalkes. Zikaltërit kanë bërë çfarë kanë mundur përballë veronezëve, por megjithëse fitorja duket e pastër, ajo nuk ka qenë aspak e lehtë. Ndoshta titulli kampion është i vështirë pas disfatës së një jave më parë, por skuadra e Leonardos duket se ka ndërmend ta provojë. Kur mbeten edhe 6 javë deri në fund, në një kampionat si ai italian, gjithçka mund të ndodhë. Fitorja e sotme erdhi pas një kontraktimi në pjesën e parë, por në të dytën, paraqitja ishte më bindëse. Esteban Kambiaso ka qenë njeriu që i ka zhdukur Interit “fantazmat” e Raul dhe të Edu, që në mesjavë e kthyen mbrojtjen zikaltër në qesharake. Më pas, siç ndodh shpesh me skuadrat e mëdha, pas një goli të parë, vjen ai i sigurisë. Një tjetër moment, ka qenë loja e mirë e Maikon, tepër i kritikuar në këtë fazë të sezonit. Në krahun e majtë, tepër i lëvizsshëm edhe Nagatomo, që duket se i jep një tjetër ritëm ndeshjes në krahasim me Kristian Kivu. Po ashtu, rikthimi i Lusios në mbrojtje i ka dhënë siguri Interit, ndonëse Uesli Shnajder e ka nisur ndeshjen nga pankina për shkak të një problemi.
Sfida
Pas një pjese të parë, ku Kievo ishte tepër e rrezikshme, Interi në të dytën dhuroi një paraqitje më bindëse. Ndërrimi i Pacinit me Diego Militon, ka rezultuar një lëvizje e goditur e trajnerit Leonardo, që i dha më shumë rrezikshmëri sulmit. Minuta e 21-të sjell golin e avantazhit. Maikon gjen të lirë në zonë Kambiason, që me një gjysmë kthesë me të djathtën mposht Sorrentinon me një top që u devijua edhe nga Andreoli. Përpara golit, zikaltërit rrezikuan ta pësonin, por Konstant humbi një shans të artë përballë Zhulio Sezar. Gjithsesi, goli i dha më shumë guxim Interit, që më pas është mbrojtur mirë dhe ka kundërsulmuar rrezikshëm. 6 minuta para fundit, Maikon gjen edhe golin e dytë, pas një topi të karamboluar në zonë. Fitorja e ngjit Interin në kuotën e 63 pikëve, 2 më pak se Milani, që të dielën ka një transfertë tepër të vështirë në Firence përballë Fiorentinës.
Kievo
Fitorja e Interit mënjanë, elozhe i shkojnë edhe skuadrës së Kievos, që në “San Siro” ka luajtur si e barabartë. Fernandes e Konstant kanë qenë më të rrezikshmit për veronezët, duke bërë presing në çdo top, ndërkohë që Pelizier nisej në çdo moment në mënyrë të rrezikshme. Pelizier dhe Konstant kanë humbur dy mundësitë më të mira për Kievon, e cila ende nuk e ka siguruar qëndrimin në Serinë A. Gjithsesi, kjo skuadër duket shumë pranë kësaj, pasi ka 36 pikë në tabelën e renditjes.

SERIA A
Inter-Kievo 2-0
Udineze-Roma
Të dielën
Juventus-Xhenoa
Bari-Katania
Bolonja-Napoli
Kaljari-Breshia
Lacio-Parma
Palermo-Çezena
Sampdoria-Leçe
Fiorentina-Milan
RENDITJA
Milan 65
Inter 63
Napoli 62
Udineze 56
Lacio 54
Roma 50
Juventus 48
Palermo 43
Kaljari 42
Fiorentina 42
Bolonja 40
Xhenoa 39
Kievo 36
Katania 35
Parma 32
Sampdoria 32
Leçe 31
Çezena 30
Breshia 29
Bari 20

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›