Dita e të rrezikuarve
Ballkani e ka fituar një betejë shumë të rëndësishme në luftë për mbijetesë. Therandasit të shtunën në Prizren e kanë mposhtur Lirinë me rezultat 1:2, në kuadër të xhiros së 23-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Vendasit e nisën mirë takimin dhe kaluan të parët në avantazh prej 1:0, me golin që e shënoi Ramadan Kryezi në minutën e 21-të. Por, pas dhjetë minutave, Ballkani ia doli t’i barazojë shifrat në 1:1 me golin që e realizoi Getoar Jashari.
Katër minuta më vonë, mysafirët e shënuan edhe golin tjetër për rezultat 1:2 nëpërmjet Afrim Mziut.
Me këtë rezultat edhe ka përfunduar ky takim, pasi skuadrat nuk ia dolën të shënojnë gola tjerë gjatë periudhës së dytë të ndeshjes. Kjo fitore është shumë e rëndësishme për Ballkanin, i cili sivjet me të gjitha forcat po lufton për të mbetur në elitë.
KEK-u – Ferizaj1:1
Ferizaj ka vazhduar me paraqitje të mirë edhe në xhiron e 23-të. Skuadra e fundit e tabelës e ka fituar një pikë shumë të rëndësishme, pasi në Kastriot ka luajtur baras me KEK-un. Elektricistët kanë kaluar të parët në epërsi në minutën e 11-të me golin që e ka shënuar sulmuesi i rrezikshëm, Florim Bërbatovci.
Por, mysafirët u kundërpërgjigjën në minutën e 33-të, kur ia dolën ta barazojnë rezultatin në 1:1 me golin që e ka shënuar Burim Shabani. Madje, ferizajasit për pak sa nuk e shënuan golin e fitores në minutën e 40-të, kur gjuajtja e Bujar Shabanit përfundoi në shtyllën e portës së KEK-ut.
Ekipet nuk ia dolën të shënojnë as në pjesën e dytë - përkundër faktit se i patën disa raste të mira, sidomos të tilla pati KEK-u - dhe kështu ndeshja përfundoi me rezultat 1:1. Me këtë pikë të fituar, Ferizaj ende i mban gjallë shpresat për mbijetesës.