Interi i falet Pacinit tani derbi vlen titullin
Pas dy javësh do të kemi një derbi që do të përcaktojë shumë në fatet e kampionatit për dy skuadrat milaneze që po hahen dhëmbë për dhëmbë
Kur Leonardo mbërriti në krye të zikaltërve, askush nuk do ta besonte se kampionët në fuqi do të rikuperonin thuajse gjithçka dhe në muajin mars ata do të ishin plotësisht në luftë për titullin kampion. Dje, ka mjaftuar një gol me mjaft vlerë i shënuar nga Pacini në minutat e para të pjesës së dytë, që Interi të marrë 3 pikët përballë Leces dhe ta shohë veten vetëm 2 pikë larg kreut. Puljezët rezistuan mjaft mirë pjesën e parë, që u mbyll pa gola. Në pjesën e dytë, Inter vazhdon të kërkojë golin e avantazhit, të cilin e gjen vetëm 7 minuta nga nisja e kësaj pjese. Pacini gjen rrjetën pas një topi të marrë nga Pandev. Zikaltërit, në minutat në vazhdim patën edhe disa raste të tjera për të dyfishuar avantazhin, por pa mundur të rigjejnë rrjetën kundërshtare. Gjithsesi, kjo fitore i ngjit në kuotën e 60 pikëve, 2 më pak se Milani kryesues. Lajmi i keq në këtë ndeshje për Leonardon ishte ndëshkimi me karton të verdhë i brazilianit Lucio i cili do të mungojë përballë derbit me Milanin që luhet pas dy javësh për shkak të mbushjes së numrit të kartonëve. Te fitorja është rikthyer edhe Juventusi. Bardhezintjë mposhtën me vështirësi 2-1 Breshian. I pari që shënoi ishte Milos Krasiç në minutën e 23-të. Por 3 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të pjesës së parë, Breshia barazon me anë të Eder. Në pjesën e dytë, Juventus vazhdon trysninë mbi kundërshtarët në kërkim të golit të avantazhit dhe marrjes së trepikëshit i munguar që prej katër ndeshjesh. Këmbëngulja e bardhezinjve u shpërblye në minutën e 68, kur Del Piero gjen rrjetën kundërshtare. Minutat në vijim nuk ndryshuan rezultatin, Juventus fiton 2-1. Në ndeshjen e luajtur më herët, Roma barazoi në transfertë përballë Fiorentinës 2-2. Protagonist për verdhekuqtë në këtë ndeshje ishte kapiteni Toti me dy golat e shënuar që e ngjisin atë në kuotën e 201 golave me fanelën romane. Ndërsa Udineze vazhdon marshimin e saj. Friulianët edhe këtë herë arritën të fitojnë pastër, 2-0 përballë Katanias. Sampdoria dështoi përballë Parmës në fushën e saj, duke u mundur 0-1. Kievo mundi po në transfertë Barin 1-2, ndërsa Bolonja e Xhenoa barazuan 1-1.
Alegri: Në derbi? Të ringjallur!
Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, shpreson që ta shfrytëzojë pushimin për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve për ta ringjallur Milanin pas humbjes nga Palermo, që i mundësoi Interit afrimin në dy pikë. “Do të ishte më mirë sikur ta kishim shmangur këtë humbje, por unë kam ende besim në këtë ekip. Tani kemi pushim dhe shpresoj se mund të kthehemi me ide të reja. Disavantazhi nuk na favorizoi. Pas golit ne luajtëm mirë gjatë gjithë pjesës së parë, por gabuam shumë në sulm. Ne krijuam më shumë në pjesë të dytë”, deklaroi Alegri.
Serie A – Java e 30-të
Rezultatet
Lacio – Çezena 1-0
Palermo – Milan 1-0
Fiorentina – Roma 2-2
Inter – Leçe 1-0
Juventus – Breshia 2-1
Bari – Kievo 1-2
Bolonja – Xhenoa 1-1
Sampdoria – Parma 0-1
Udineze – Katania 2-0
Napoli – Kajliari X-X