ERE: Pas privatizimit, çmime të reja energjie
Enti thotë se, në rast se investitori paguan 140 milionë euro borxhe dhe investon për të reduktuar humbjet, do të kërkojë rritje çmimi
Privatizimi i sistemit të shpërndarjes së korporatës, pritet të sjellë edhe çmime të reja të energjisë. Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, i pyetur nga gazeta “Korrieri”, tha se rruga që ka zgjedhur qeveria për pagimin e 140 milionë eurove borxh nga ana e investitorit strategjik, do të ndikojë në kërkesa të reja të çmimit të energjisë. Por nuk mjafton vetëm kjo. Ndryshe nga sa po ndodh, tani investitorit strategjik do t’i përcaktohen objektiva të reja, ku niveli i humbjeve teknike nuk do të jetë në nivelet aktuale, por më i reduktuar. Për realizimin e këtij objektivi është e nevojshme kryerja e investimeve, kurse niveli i arkëtimeve duhet të jetë më i lartë. Nepravishta duke e cilësuar këtë si një negocim të fuqishëm me investitorin, nuk mohoi faktin që kjo do të sjellë kërkesa për rritje çmimi. “Çdo investitor ka të drejtë të paraqesë çmime të reja të shitjes së energjisë. Por ashtu dhe siç ndodhi me çmimet e tanishme, nga institucioni ynë do të shikohen argumentet që paraqiten për ndryshimet e çmimeve dhe që duhet të jenë të orientuara nga kostoja”, u shpreh Nepravishta, duke shtuar se çmimet aktuale përputhen me strategjinë e privatizimit. Rritja e çmimit të energjisë që mund të vijë nga privatizimi i operatorit të sistemit është kundërshtuar edhe nga deputetët e opozitës. Deputeti socialist i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Pandeli Majko, e kundërshtoi privatizimin e KESH-it, pasi sipas tij, kjo do të sjellë rritje të çmimit. Por duket se kërkesa e investitorit për ndryshime të çmimeve të energjisë nuk do të vonojë, pasi ai duhet të paguajë 140 milionë euro borxh që ka sistemi i shpërndarjes, si dhe të kryejë investime në rrjet për reduktimin e humbjeve teknike, kusht ky që do të vendoset nga qeveria. Tashmë, ekzekutivi e ka vendosur që investitori strategjik duhet të paguajë 140 milionë euro borxhe, të cilat janë marrë ndaj institucioneve financiare për kryerjen e investimeve. Por para vështirësive të operatorit strategjik mbeten edhe mbledhja e 350 milionë eurove borxh që i kanë konsumatorët apo dhe institucionet private në fatura të papaguara. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, gjatë raportimit të djeshëm në Komisionin e Ligjeve mbi formulën e privatizimit të sistemit të shpërndarjes së korporatës. Numri një i Ministrisë së Energjetikës ka saktësuar se privatizimi nuk do të sjellë rritje të menjëhershme të çmimit të energjisë. Por nga ana tjetër, ministri i Energjetikës, Genc Ruli, është shprehur se çdo kompani ka të drejtë të bëjë kalkulimet e veta, pasi çmimet nuk vendosen nga ajo, por nga Enti Rregullator i Energjisë. Por nga ana tjetër, ndryshe nga ajo çfarë ka shprehur drejtori i Korporatës Energjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi, ku çmimet aktuale të energjisë nuk i përputhen kostos së importit, ministri i Energjetikës pohoi të kundërtën. Punonjësit, përfitim nga bonot e privatizimit Privatizimi i sektorit të shpërndarjes do të shoqërohet edhe me kompensimin e ish-pronarëve. Ministri i Energjetikës, Genc Ruli, shpjegoi se me lekët e shitjes së operatorit do të kompensohen vetëm ata ish-pronarë, trojet e të cilëve janë zënë nga ngritja e objekteve që përfshihen në operatorin e shpërndarjes. Kërkesës së deputetit të Partisë Socialiste, Pandeli Majko për kompensimin e ish-pronarëve, trojet e të cilëve janë përmbytur nga hidrocentralet, nuk do të përballohen nga këto fonde. “Kompensimi i ish-pronarëve është objektiv i qeverisë, por me fondet e privatizimit nuk do të kompensohen ish-pronarët e zonave të përmbytura. Pra, nuk mund të ezaurohet në total kompensimi. Kjo është detyrë e Agjencisë së Kompensimit”, u shpreh Ruli. Sakaq, ish-punonjësit e Sistemit të Shpërndarjes do të shpërblehen kundrejt bonove të privatizimit. Pra, sipas Rulit, në këtë mënyrë do të vlerësohen të gjithë punonjësit që kanë punuar që nga viti 1992 dhe ata që kanë 5 vjet punë.