E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada e Korçës, nisin shpronësimet

janë 25 shtëpi, të cilat do të shemben si rezultat i ndërtimit të kësaj rruge në një gjatësi prej 29 kilometrash, e cila është e ndarë në 5 lote

Korçë - 2 mijë familje në rrethin e Korçës e kanë lidhur tashmë jetën e tyre me shpronësimet e aksit rrugor Korçë - Qafë-Plloçë, ndërsa 25 shtëpi do të shemben, duke qenë pjesa më e madhe në proces legalizimi. Shpronësimet e këtij aksi që u inauguruan vetëm disa javë më parë nga kryeministri Sali Berisha, kanë përfshirë në punë Ndërmarrjen Rajonale të Rrugëve në Korçë, e cila është duke evidentuar deri në detajet më të vogla të gjithë objektet e shpronësimeve, procesi i së cilave tashmë ka nisur. Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve në Korçë, Kreshnik Zgjani, njëherësh dhe kryetar i komisionit të shpronësimeve, puna është voluminoze, ndërsa për herë të parë nuk janë hapur probleme apo konstatime nga ana e banorëve, të cilët kanë bashkëpunuar me institucionet shtetërore, duke e mirëpritur rrugën. Por gjithsesi, janë 25 shtëpi, të cilat do të shemben si rezultat i ndërtimit të kësaj rruge në një gjatësi prej 29 kilometrash, e cila është e ndarë në 5 lote. Duke iu referuar Zgjanit, deri tani komisioni ka evidentuar plot 1920 objekte në shpronësim, pjesa e më e madhe e të cilëve janë tokë bujqësore, shtëpi, objekte të ndryshme, pika karburanti, servise etj. Banorët e këtyre familjeve ende nuk kanë një përgjigje zyrtare, ndërsa kanë paraqitur dokumentacionin e tyre, nga i cili prisnin legalizimin e banesës dhe jo shembjen e tyre nga projekti i rrugës së re që po zgjerohet. Në këtë mënyrë janë mbi 2 mijë familje në gjithë gjatësinë e kësaj rruge, të cilat janë në pritje të mbylljes së këtij procesi, i cili tanimë ka nisur dhe është në përfundim të tij, që do të thotë se së shpejti të shpronësuarit do të kenë lekët në xhepat e tyre. Por ajo që duket se është problemi më i nxehtë është prishja e 25 banesave, një pjesë e së cilave rreth, 12 të tilla, janë në proces legalizimi, pasi janë të paligjshme. Sipas Zgjanit, komisioni që ai drejton ka për detyrë vetëm evidentimin e këtyre banesave dhe më pas janë institucione të tjera, ata të cilët do të merren me zgjidhjen e problemeve që dalin përpara. Për sa i përket çmimit të tokës, Zgjani sqaron për gazetën, se shteti do të mbështet në çmimin e shitjeve të viteve të fundit në këtë zonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›