E Diel, 1 Nëntor 2026

Interi, kohë revolucionipas një sezoni zhgënjyes

TIRANE-Në letër, Interi është ende në lojë për gjithçka, por rreziku që kampionët e Evropës ta mbyllin sezonin me “zero tituli” tashmë është real. Në kampionat, diferenca me Milanin është 5 pikë, kur mbeten edhe 7 ndeshje për t’u luajtur, ndërkohë që Liga e Kampioneve mund të quhet një mision i pamundur, pas humbjes 2-5 me Shalken. Duke parë problemet e këtij sezoni, zikaltërit duken drejt një revolucioni, që ka si synim sidomos rinovimin e skuadrës, e cila ka një moshë mesatare të lartë.
Gjithçka do të nisë nga pankina, ku Leonardo, megjithëse ka nisur të marrë kontestimet e para, duket se do të qëndrojë. Një alternativë për të mbetet ish-nxënësi i Murinjos Vilas Boas, këtë vit kampion me Porton, ndërkohë që ëndrra quhet Pep Guardiola.
Përsa i përket ekipit, largimet mund të jenë disa, duke nisur nga Maikon i kërkuar nga shumë ekipe, por edhe Shnajder, për të cilin Mançesteri është gati të bëjë çudira. Përpos kësaj, vështirë se Morati do ta lëshojë aq lehtë holandezin. Një tjetër që rrezikon është portieri Zhulio Sezar, për të cilin është i gatshëm Viviano i Bolonjës. Në “provë” duket se janë edhe Milito, Kivu, Pandev e Tiago Mota. Përpos këtyre hipotezave, kapiteni Havier Zaneti beson se Interi mbetet ende ekip i fortë. “Na vjen të gjithëve keq për humbjet me Milanin dhe Shalken, por kjo skuadër ka 6 vjet që vetëm fiton dhe besoj se dikush mezi priste që momentin e parë të vështirësive që të na kritikonte. Ne lojtarët e dimë, kur fiton je fenomen, kur humb nuk je asgjë. U them tifozëve të mos ndikohen nga kritikat”, tha Zaneti.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›