E Diel, 1 Nëntor 2026

Këngëtari Manu Chao në ndihmë të fëmijëve në Shqipëri

TIRANË- Këngëtari franko-spanjoll, Manu Chao do të jape një koncert në stadiumin “Qemas Stafa” në Tiranë mbrëmjen e 12 prillit, ku përveç këtij eventi artistik do të zhvillojë dhe një aktivitet në ndihmë të fëmijëve.
Para dhe gjatë koncertit organizatorët do të shesin produktet që kanë emrin apo fytyrën e këngëtarit Manu Chao si, bluza, kapele, varëse, byzylykë etj, dhe të ardhurat nga shitja do të shkojnë për të mbështetur advokimin për të drejtat e fëmijëve nga “ALO 116 – Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët në Shqipëri”.
Gjithashtu, në krah të skenës së Manu Chao do të jetë e ngritur edhe një stendë, ku çdo pjesmarrës në koncert mund të gjejë produktet e këngëtarit dhe informacione për Shërbimin e “ALO 116” në Shqipëri.

Ky aspekt social i koncertit të Mano Chao është plotësim i një prej kërkesave të këngëtarit, i cili turin e tij ballkanik, nuk e sheh vetëm në aspektin artistik, por edhe për mbështetjen e fëmijëve.

Manu Chao vjen në Tiranë si pjesë e turit ballkanik, që përfshin koncerte në qytete të tjera si, Lubljana, Zagrebi, Sarajeva, Novi Sad, Prishtina, Sofia, Bukureshti dhe Stambolli.

Ai do të interpretojë në skenën e stadiumit “Qemal Stafa”, mes të tjerave edhe disa nga hitet e tij më të njohura botërore si, "Me gustas Tu", "Mi vida", "Klandestino", "Bongo bong, je ne t'aime plus", etj.

Manu Chao këndon në frëngjisht, spanjisht, galikisht, portugalisht, arabisht, anglisht dhe e veçanta e tij është se shpesh ai në një këngë bën përzjerje gjuhësh. Muzika e tij ka shumë ndikime si, punk, rock, muzika franceze, salsa, reggae, algjeriane, etj. Këto ndikime janë marrë nga emigrantët në Francë, lidhjet Iberike të tij dhe më kryesorja udhëtimet e tij në Amerikën Qëndrore si një nomad pas shpërndarjës së Mano Negra. Shumë nga vargjet Chaos flasin për dashurinë, emigracionin, jetën në geto dhe për drogën.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›