E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liga e Kampioneve prane rekordit te golave

Një rekord u vendos në këto çerekfinale, por një tjetër nuk u arrit vetëm për një hap. Liga e Kampionëve prodhoi 18 gola në 4 ndeshjet çerekfinale të kësaj mesjave duke vendosur rekordin që kur ky aktivitet mori këtë emër më 1992. Rekordi i mëparshëm i përkiste sezonit 2003-2004, kur u shënuan 15 gola në 4 përballje dhe atë vit në çerekfinale ishin sërish Reali i Madridit dhe Çelsi.

Por, vetëm për një rrjetë të munguar nuk u arrit të barazohej rekordi legjenda i kupës së kampionëve, një rekord që reziston që prej gjenezës së këtij aktiviteti të shpikur nga gazetari francez, Gabriel Hano. Ishte sezoni i dytë që kupa e kampionëve kishte ardhur në jetë, ai 1956-1957 dhe në çerekfinale u shënuan 19 gola. Në garë ishin Reali i Madridit dhe Mançester Junajtid, ashtu si edhe sot, por edhe Bilbao, Fiorentina, Grashopers, Nisa franceze, Crvena Zvezda jugosllave dhe CSKA e Sofjes. 5-3 fitoi Sevilja me Junajtid, 3-1 Fiorentina me Grasshopersin, 3-0 Reali me Nisën dhe 3-1 Zvezda me CSKA-në bullgare.

Ishin vite kur shënohej shumë, 17 herë në 1958 dhe po 17 në 1960, sezoni kur Reali e Barça u ndeshën në gjysmëfinale, ndërsa për herë të fundit kjo shifër u arrit më 1986-1987. Ja pra, që nuk mund të thuhet se është shuar futbolli sulmues dhe nuk ka si të jetë kështu kur në kupë janë Barça e Reali, Mançester Junajtid e Çelsi, Shalke, por dhe Totenhami, Shahtari apo edhe Interi.

Nga këta 18 gola, veçohet edhe fakti se 3 prej tyre erdhën në 4 minutat e para, një breshëri e shpejtë e ndarë në dy ditë dhe 3 stadiume, pasi që në minutën e parë shënoi Stankoviç për Interin në “San Siro” ndaj Shalkes, në minutën e 2-të shënoi Andres Iniesta për Barcelonën ndaj Shaktarit në “Kamp Nou” dhe në minutën e 4-ët realizoi Emanuel Adebajor, në favor të Realit të Madridit dhe në dëm të Totenhamit në “Bernabeu”, një sfidë që përfundoi 4-0.

Një mesjavë pra plot me emocione të forta, të tilla që në radhë të parë i jep Liga e Kampionëve, kompeticioni më i madh i klubeve të futbollit në të gjithë botën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›