Interi, më i miri në botë për vitin 2010

Interi mposhti konkurrencën e Barcelonës dhe të Bajernit, duke u laureuar si skuadra më e mirë e vitit 2010, me 300 pikë të grumbulluara, 32 më shumë se ndjekësja e saj më e afërt, Bajerni i Munihut. Fitorja e Botërorit të Klubeve i rriti kuotat e formacionit zikaltër duke marrë kryesimin ndërkombëtar të hartuar nga Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave në Futboll, IFFHS, dhe i përket periudhës 1 janar 2010-31 dhjetor 2010. Interi mori vendin e parë falë 35 pikëve të mara nga suksesi i trofeut në Emiratet e Bashkuara, e që i kanë lejuar skuadrës së udhëhequr nga Leonardo të marrë vendin e parë. Humbi kryesimin Barcelona, që tashmë e sheh veten në vendin e tretë, pas Bajernit të Munihut. E para nga anglezet është Liverpuli, i gjashti, ndërkohë që Çelsi dhe Mançesteri zbritën në vendin e tetë. Reali i Madridit ndodhet në vendin e 11-të. Në 300 ekipet e renditura nga IFFHS-ja nuk ka asnjë ekip shqiptar. Gallatasaraji i Lorik Canës renditet në vendin e 132-të. Rapidi i Vjenës së Hamdi Salihit është në vendin e 127-të. Përsa u përket renditjeve të kampionateve, Spanja është në vendin e parë, ndërkohë që Shqipëria renditet në vendin e 78-të në botë.
DHJETË EKIPET E PARË
1. Inter Itali 300.0
2. Bajern Munih Gjermani 268.0
3. Barcelona Spanjë 266.0
4. Atletiko Madrid Spanjë 244.0
5. Estudiantes Argjentinë 235.0
6. Liverpuli Angli 232.0
7. Internacional Brazil 231.0
8. Çelsi Angli 222.0
8. Mançester Jun. Angli 220.0
10.Porto Portugali 219.5
Pato: “Alegri, një trajner i madh”
“Alegri është një trajner i madh. Skuadra është e lumtur pasi po bën gjëra të pabesueshme, jemi të gjithë me të”. Kjo është deklarata e milanistit Pato. “Vazhdoj të them se mund të fitojmë – shtoi braziliani. – Jemi të parët, por duhet të bëjmë më të mirën tonë për të marrë sa më shumë pikë që të jetë e mundur”. Pato nënvizoi se nuk do të shkojë kurrë te Interi. “Nuk e di se deri kur do të ri këtu, kjo varet vetëm nga klubi. Kam një kontratë deri në fund të vitit 2014 dhe mendoj të luaj vetëm për Milanin. Te Interi, jo”.
Juve me Bufonin nga minuta e parë
“Është absolutisht e rëndësishme”. Kështu e përshkroi drejtori i përgjithshëm, Bepe Marota, Kupën e Italisë, që sot do të vendosë përballë njëra-tjetrës, Juventusin dhe Katanian në një të tetat. Përveç Luka Tonit të rikuperuar do të luajë dhe Bufon, ky i fundit nuk zbret në fushë qysh nga dëmtimi në Kampionatin Botëror. Portieri veteran është parashikuar të luajë nga minuta e parë. Do të mungojë Amauri, i operuar në zonën e hundës. Juventusi pritet të luajë më formacionin më të mirë të mundshëm dhe midis lojtarëve në dispozicion do të jetë dhe Sisoko.
182 milionë euro për Ronaldinjon
Kush do të tentojë të blejë Ronaldinjon nga Flamengo në vitet e ardhshme duhet të paguajë një klauzolë për prishjen e kontratës në shumën e 400 milionë realëve brazilianë, ose rreth 182 milionë euro, shifra më e lartë në futbollin brazilian. Lajmin e dha “TV Globo”, duke publikuar edhe shifrën e lojtarëve të tjerë me vlerë të madhe. Në kontratën e Nejmarit, ylli i ri i Santosit, i konsideruar si jashtëklasi i ardhshëm brazilian, shifra është 100 milionë real.
Van Gal: "Kraft është numri një”
Trajneri i Bajernit të Munihut, Luis van Gal, deklaroi se Tomas Kraft është numri një për të mbrojtur portën e rekordmenëve të Gjermanisë. Deri tani portën e Bajernit e kishte mbrojtur Jorg But, 36 vjeç por trajneri holandez tashmë e bëri të qartë vendimin e tij, vetëm tri ditë para fillimit të fazës së dytë të Bundesligës. Bajerni do të përballet me Volfsburgun. 22-vjeçari Kraft mbërriti në vitin 2004 nga ekipi amator Betzdorf 06 dhe konsiderohet si e ardhmja e portës gjermane. Aktualisht, portieri më i mirë në Gjermani është Manuel Nojer i Shalke 04.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Merkure, 12 Janar 2011