Interi, në sulm për Tevez dhe Benzema
Karlos Tevez (24 vjeç) mund të ndjekë këshillën e Diego Armando Maradonës, që të lërë Mançesterin për Interin. Pas një sezoni për t‘u mbajtur mend, argjentinasi nuk konsiderohet më si një titullar i padiskutueshëm nga trajneri Sër Aleks Ferguson dhe po mendon të lërë "Old Trafford"-in. Mes të tjerash, klubi anglez nuk duket krejtësisht i bindur për t‘i paguar MSI-së, shoqërisë që zotëron kartonin e lojtarit, 32 milionë eurot e nevojshme për ta blerë me të drejta të plota. Recensioni duket se ka bërë punën e tij dhe se Kia Joorabchian, biznesmeni anglo-iranian, që është dhe shefi i MSI-së, ka diskutuar me drejtuesit zikaltër gjatë misionit të tij të fundit në Milano. Gjithçka mund të mbyllet edhe brenda muajit janar. Megjithatë, argjentinasi nuk është sulmuesi i vetëm i kërkuar nga Interi. Skuadra italiane e Moratit shihet si një nga protagonistet më të mundshme të merkatos së verës së ardhshme. Sikurse është bërë e ditur, italianët e rrugës "Durini" kanë shënjestruar objektivat e tyre dhe synimi kryesor është marrja e një sulmuesi të madh. Didier Drogba (tashmë në një situatë jo të mirë në marrëdhëniet me Skolarin dhe Çelsin: mund të vijë menjëherë). Serxhio Aguero dhe Diego Milito mbeten mes të parëve në listë, por dje në ambientin zikaltër kanë qarkulluar sërish zëra insistues edhe për emrin e Karim Benzema, bomberit të Olimpik Lion, që në këtë pjesë të parë të sezonit ka firmosur 15 gola mes kampionatit dhe Champions League. Ai që e ka rikthyer në vëmendje një transferim të mundshëm në Milano, ishte presidenti Zhan-Mishel Aulas, duke folur në prezantimin e faqes së re të klubit në internet. Njëshi i Lionit nuk e ka mbajtur të fshehtë interesimin e Interit për yllin e skuadrës. "Do të bëjmë ç‘është e mundur për ta mbajtur edhe pak kohë me ne. Nëse rezultatet do të jenë në linjë me ambiciet tona, do të kemi argumente për ta bindur. E ardhmja mund të jetë e bukur. Dhe nuk do të duhet t‘i shikojmë klubet që kërkojnë Benzeman si armiq. Madje, është një nder që Mançester Junajtid, Real Madrid, Interi dhe Barcelona janë të interesuara për Karim. Kjo do të thotë se, janë të interesuara për Lionin dhe na ndjekin me vëmendje. Është më mirë kur të tjerët të kanë zili".