Eklestone zgjedh Vetelin: Do të jetë kampion bote
Padroni i Formula 1, Berni Eklestone, mbërrin në takimin tradicional të Formula 1 dhe MotoGp, ku do të jepet nisja zyrtare e sezonit 2009 për Ferrarin dhe Dukatin. Ai ua ka "vjedhur" menjëherë skenën protagonistëve të tjerë. Për sezonin e ardhshëm, Eklestone e sheh BMW-në e Sebastian Vetel si surprizën e mundshme. "Në sezonin e ardhshëm do të ketë diçka të ndryshme, do të ketë skuadra që do të ecin më mirë se në të kaluarën. Një nga to mund të jetë një BMW protagoniste, të cilën e kemi parë në botë disa herë", ka thënë padroni i "Formula One Management" në një intervistë për "Sky". Më pas, ai ka mbështetur shumë shpresat e tij te piloti gjerman i Red Bull, Sebastian Vetel: "E kemi parë të gjithë atë që ka bërë. Dhe është e pabesueshme. Nuk besoj se do të duhet të presim shumë për ta parë atë kampion bote". Mbi të ardhmen e Formula 1, duke nisur që nga viti 2009, Eklestone është shprehur se "niveli do të jetë gjithmonë i njëjtë, i kemi ndryshuar rregulloret. Po kërkojmë të vlerësojmë parakalimet e bëra, ato të bëra ndershmërisht. Janë pilotët protagonistë dhe jo makinat. Do të doja të fusnim medaljet dhe do të jetë kampion bote ai që fiton më shumë gara. Vlerësimi me medalje u mendua me synimin që pilotët të synojnë gjithmonë fitoren".